Google ADS

Gjyqtarët e Supremes kërkojnë kohë për të shqyrtuar draft-ligjet

16:12 | 23 Nëntor 2017
Arbresh.info

Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, sot është mbajtur seanca e përgjithshme, në të cilën kanë marrë pjesë, përveç gjyqtarëve të Supremes, edhe gjyqtarët vendorë e ndërkombëtarë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (DhPGjS), ata nga Kolegji i Apelit dhe gjyqtarët e Supremes nga EULEX-i.

Të pranishmit kanë diskutuar rreth propozimeve për Projektligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për Projektligjin për Gjykatat dhe Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve.

Kreu i Supremes u sqaroi të pranishmëve se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Supreme që deri të hënën të japë propozimet, komentet dhe vërejtjet eventuale rreth këtyre draft-ligjeve.

Mirëpo, të gjithë të pranishmit theksuan se ky afat i shkurtër kohor është i pamjaftueshëm për të analizuar këto draft-ligje.

Madje gjyqtarët e EULEX-it nuk kishin pranuar version në gjuhën angleze të materialit, ndaj konsideruan se afati shtesë është i domosdoshëm.

Në parim, gjyqtarët e Gjykatës Supreme, potencuan se nga analizimi i shkurtër i këtyre draft-ligjeve vërejtjet janë substanciale.Gjyqtarët vendorë dhe ata ndërkombëtarë u dakorduan që kryetari i Gjykatës Supreme t’i drejtohet Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku përveç afatit shtesë për shqyrtim të këtyre draf-ligjeve, të kërkohet edhe përfshirja e anëtarëve nga gjyqësori në grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë, të cilat janë duke punuar në draftimin e ligjeve përkatëse.

Të ngjashme