Kombëtarja shqiptare në bastore, reagim i ashpër i trajnerit

08:12 | 20 Nëntor 2017
Arbresh.info

Alban Bushi ka sulmuar mediat sa i përket sinjalizimeve që dha kompania e monitorimit të basteve “Federbet” për ndeshjen që skuadra jonë kombëtare humbi 3-0 në Gjeorgji.

Kur u pyet në emisionin “Zona Gol” në lidhje me këtë, Bushi u skuq në fytyrë dhe për asnjë moment nuk tha se do ta hidhte në gjyq një kompani si “Federbet”.

Nuk tha që ata do të përballen me ligjin për shpifje. Bushi thjesht iu përvesh medias që e kishte publikuar si lajm. E çuditshme, por trajneri i skuadrës tonë Kombëtare U-21, që krenohet kryesisht me lojën, por jo me pikët, preferoi t’i quante mediat kazan, edhe pse në fakt ishte duke folur në media dhe përballë kishte edhe dy gazetarë.

“Nuk kam dëshirë të komentoj rastin e ‘Federebet’-it. Ka shumë qen që lehin, por e rëndësishme është që karvani të shkojë përpara. Këtu ka disa media, pakica, jo shumica, të cilat përpiqen të nxijnë me çdo kusht futbollin shqiptar. Por nuk ka problem, sepse ato janë kazani. Siç e thotë edhe ai lart (i referohet kryeministrit). Futbolli ynë ka bërë hapa gjigantë vitet e fundit.

Skënderbeu dy herë në fazën e grupeve, Komëbtarja në Europian dhe Shpresat që luajnë shumë bukur, por ka disa që duan të gjejnë vetëm të keqen”.

Bushi pranoi se skuadra U-21 ka luajtur mirë sipas tij, por i mungojnë pikët më klasifikim dhe konsideroi skuadra të nivelit shumë të lartë Islandën dhe Sllovakinë… Ish-sulmuesi i Kombëtares që ka qenë edhe drejtor i ekipeve kombëtare, ra në sy pak vite më parë me deklaratën që revoltoi pa masë tifozët:

“Meritën më të madhe për kualifikimin e Kombëtares në Europian e kishte Duka, jo De Biazi…”. Prej asaj kohe, Bushi nisi të forconte pozitat në FSHF, madje iu dha në mënyrë shumë të dyshimtë përdorimi i ambjenteve stërvitore të Kombëtares në Kamzë për biznes privat (ka akademi të vetën).

Pas kësaj u bë trajner i Shpresave, pa qenë askund trajner më parë. Ndërkohë mësohet se raportet e tij me Dukën së fundmi janë ftohur për shkak të rezultateve jo të mira të Shpresave, por mbi të gjitha për atë që ka ndodhur në Gjeorgji. Ky ishte edhe motivi kryesor se përse Bushi shfryu ndaj mediave që publikuan lajmin për sinjalizimiet e Federbetit. Megjithatë, gjatë ditëve të ardhshme do të ketë sërish të reja mbi ekipet kombëtare…

Bushi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme