Damiano, arbitri 12-vjeçar italian: Ja si i përgjigjem tifozëve kur më ofendojnë

22:31 | 19 Nëntor 2017
Arbresh.info

Ka nga ata që ëndërrojnë të bëhen sulmues si Gonzalo Higuain, por edhe nga ata që adhurojnë punën e arbitrave, në fakt, jo të gjithë ëndërrojnë që të zbresin në fushë dhe të shënojnë para 80 mijë tifozëve.

Ka edhe nga ata që kanë vendosur të bëhen arbitra dhe ndoshta e kanë marrë këtë vendim në një moshë të re.

Ky është rasti i Damiano Bellini, që, në moshën 12 vjeç, është bërë arbitri më i ri i Italisë falë arbitrimit të tij në një ndeshje mes ekipeve të moshave, Pgs Smile kundër Pavullo, që është luajtur pak ditë më parë në Modena.

Pasi ka kaluar me sukses provën dhe pasi ka marrë licencën (një rast i veçantë, sepse nuk mund të merret para moshës 16 vjeç), Damiano ka pasur mundësinë të zbresë në fushën e lojës me bilbilin në gojë dhe kartonët në xhep.

Pasioni i tij ka lindur në rrethana të veçanta.

Ai është njohur me një grup refugjatësh dhe ka vendosur të arbitrojë ndeshjet e tyre, që luheshin në qytet: “Dukeshin beteja. Kishte ndërhyrje shumë të ashpra, sherre të vazhdueshme.

Kam kuptuar se doja t’i mësoja atyre rregullat, – ka thënë ai për ‘Corriere della Sera’. – U kërkova të më linin të bëja arbitrin. I kam bindur dhe më kanë pranuar”.

Nga ai moment, Damiano e ka marrë seriozisht: “Kam studiuar një manual me 500 faqe të rregullores dhe jam përgatitur për provimin”. Nëse e pyesni se cilli është idhulli i tij, sigurisht ai do të përgjigjet Collina ose Rizzoli.

Messi dhe Cristiano Ronaldo? Ata ia lë pa problem shokëve të tij. Por, si arbitër, ai mund të përballet edhe me situata të papëlqyeshme: “Një herë më thanë brinar, – ka thënë arbitri i ri. – Atij tifozi iu përgjigja duke i thënë se unë nuk kisha një të fejuar, ai ndoshta po, dhe, për rrjedhojë, kishte më shumë mundësi që brinari të ishte ai”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme