Veseli: Miqësia me SHBA-të, vlerë e madhe për Kosovën

18:29 | 18 Nëntor 2017
Arbresh.info

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim kongresmenin amerikan, mikun e madh të Kosovës, Eliot Engel.

Kryeparlamentari Veseli e falënderoi kongresmenin Engel për kontributin e tij të madh për sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer ndaj kauzës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, duke u bërë kështu zëri i saj në politikën amerikane dhe më gjerë.

Veseli konsideroi se Engel do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen avokues dhe përkrahës i madh i Kosovës, tashmë në kauza dhe sfida të reja, siç është ajo e integrimit euro-atlantik dhe e zhvillimit të gjithmbarshëm të saj.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi se bashkëpunimi i shkëlqyer midis Kosovës dhe SHBA-së tashmë është kthyer dhe kultivuar në një miqësi midis dy popujve, të cilën ai e konsideroi vlerë të çmuar për vendin tonë.

Anëtari i Kongresit Amerikan, Eliot Engel, shprehu kënaqësinë për arritjen e Kosovës në shumë fusha, ndërsa konfirmoi se do të vazhdojë të mbetet një mik dhe mbështetës i saj.

Gjatë këtij bashkëbisedimi të ngrohtë e miqësor, Engel u interesua për një varg zhvillimesh në Kosovë, ndërsa kryetari Veseli theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të çuar përpara agjendat shtetërore, në funksion të zhvillimit të vendit dhe në interes të qytetarëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme