Pagat e larta të qeveritarëve dëmtojnë buxhetin e Kosovës

09:04 | 18 Nëntor 2017
Arbresh.info

Banka Botërore ka prezantuar raportin vjetor për ekonominë në Kosovë.

Në raport thuhet se Kosova është lider në Ballkan për rritjen ekonomike sivjet dhe në dy vitet e ardhshme, shkruan arbresh.info.
Rritja ekonomike për vitin 2017 pritet të arrijë 4.4 për qind nga 3.4 për qind sa ishte në vitin 2016.
Ajo çka është shqetësuese për Buxhetin e Kosovës është rritja e Konsumit nga Qeveria.

Raporti i Bankës thotë se Konsumi i qeverisë po zgjerohet për shkak të pagave të larta( 5.2 për qind) dhe përdorimit të mallrave dhe shërbimeve(4.5 për qind).
Profesori dhe analisti për ekonomi Musa Limani ka thënë se vlerësimi i Bankës Botërore është i drejtë dhe i mbështetur në bazat e logjikës ekonomike.

”Është për të ardhur keq por është e vërtetë se Administrata Shtetërore e Kosovës është e stërpunësuar dhe numëron diku mbi 80 mijë veta që paraqet një ngarkesë për buxhetin e Kosovë që është tejet i vogël. Gjithë kësaj i shkojmë se Administrata shtetërore po rritet tregon se gjithnjë e më shumë po ngarkohet buxheti i Kosovës që paraqet një problem me vete”, ka thënë Limani për arbesh.info.

Sipas Limanit janë dy alternativa për t’i mbuluar shpenzimet shtesë të administratës e të kursehet buxheti.

“Rritja e pagave duhet të vijë me rritjen e produktivitetit të punës. Në Kosovë kjo nuk mund të arritët sepse kemi shumë pak prodhim. Dhe e dyta, Qeveria këto mjete mund ti siguroj përmes politikave fiskale me ngarkesa fiskale qoftë të partive politike apo të qytetarëve” theksoi Limani.

Nga ana tjetër, Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit ka thënë se shpenzimet e Qeverisë nuk paraqesin rrezik për buxhetin në vend.

“Se shpenzimet qeveritare janë në rritje apo e rrezikojnë buxhetin e vendit nuk e besoj këtë sepse qeveria duhet të jetë e vëmendshme se nuk duhet të rrezikojë buxhetin për shkak të shpenzimeve por ato shpenzime duhet të jenë të fokusuara në projekte” ka thënë ai.

Ai ka thënë se pagat në Kosovë janë të ulëta në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Për shkak të pagave te larta mendoj se në Kosovë edhe në sektorin publik dhe privat disponojnë një pagë mesatare tepër të ulët në krahasim me vendet e ndryshme të Ballkanit Perëndimorë. Këtu duhet të ketë rritje të kostove të shërbimeve të ketë edhe rritje të pagave por gjithmonë të ketë edhe rritje ekonomike ne asnjë mënyrë në forma të tjera”, ka thënë Shahini.

Vendet e Ballkanit Perëndimor po shohin një rritje të punësimit, ndërkohë që rritja ekonomike vijon në të gjithë rajonin. Rritja ekonomike rajonale pritet të arrijë në 2.6 për qind në vitin 2017, duke çuar në krijimin e 230,000 vendeve të reja të punës deri në qershor 2017 – një rritje prej 3.8 për qind krahasuar me periudhën e mëparshme./M.Avdimetaj/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme