PDSH dënon pengesat në dorëzimin e listës zgjedhore

21:09 | 17 Nëntor 2017
Arbresh.info

Partia Demokratike Shqiptare në Preshevë e cila udhëhiqet nga Ragmi Mustafa ka reaguar fuqishëm të premten lidhur me përpjekjet flagrante të pengimit të dorëzimit të listës zgjedhore të PDSH-së, transmeton RTKLlive.

Në reagimin e PDSH-së, që udhëhiqet nga ish kryetari Mustafa, akuzohet kryetari i organit të përkohshëm të Preshevës Shqiprim Arifi se përmes aktivistëve të partisë që ai udhëheq ka ndërprerë energjinë elektrike me qëllim të pengimit të procesit të përgatitjes së dokumentacionit- listës së kandidatëve për këshilltarë. Kjo sipas PDSH-së ka ndodhur pak minuta para dorëzimit të listave në Komisionin Komunal Zgjedhor.

“Njerëz të papërgjegjshëm, të porositur nga lideri i APN-së dhe të mbështetur nga struktura kriminale, me aktin e ndërprerjes së energjisë elektrike krijuan një atmosferë të papritur për anëtarët, simpatizuesit dhe drejtuesit e PDSH-së si dhe gjithë qytetarët e komunës së Preshevës , veprim i qëllimshëm, duke krijuar kaos dhe revoltë tek të gjithë”, thuhet në reagimin e kësaj partie, përcjell RTKlive.com.

“Armiku i armikut tim është miku im. Kjo është motoja e Shqiprim Arifit”, thuhet në reagimin e PDSH-së ku ndër të tjera thuhet se “kryetari i dhunshëm, siç e mori, dhe po e mban këto muaj këtë pozicion, dje na dëshmoi se kush në të vërtetë është ai dhe vija e tij, e cila është tanimë e qartë”.

Në reagimin e Partisë Demokratike Shqiptare njoftohet opinioni publik se kryetari i organit të përkohshëm Shqiprim Arifi për t’i arritur qëllimet e tij, përdor të gjitha mjetet e mundshme antishqiptare, vetëm e vetëm për të dëshmuar se ai ka shkopin magjik për të sunduar në vendin tonë.

“Sikur që ka paralizuar funksionimin e pushtetit lokal, dje për një periudhë kohore, vendosi që me bashkëpunëtorët e tij serb, të paralizoj punën e PDSH-së, me qëllim të pengimit të procesit të përgatitjes së dokumentacionit- listës së kandidatëve për këshilltarë, pak minuta para dorëzimit në Komisionin Komunal Zgjedhor”, thuhet në reagim të PDSH-së. PDSH konsideron se anëtarët dhe simpatizuesit e APN-së nuk janë armiqtë e këtij subjekti.

“Përkundrazi ne i konsiderojmë ata pjesë të familjeve tona që bashkëjetojmë, prandaj i ftojmë publikisht që të distancohen nga politikat e errëta të liderit të tyre. Mbështetjen antishqiptare të cilën po i’a ofron qeveria e Serbisë, dorës së saj të zgjatur në Preshevë, do ta ndërpresë me siguri votuesi shqiptar më 24 dhjetor”, thuhet në reagim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme