Google ADS

Konjufca: Vendimi për burgimin e aktivistëve të Vetëvendosjes erdhi nga pushteti

19:22 | 17 Nëntor 2017
Arbresh.info

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, duke komentuar dënimin e katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se ai është kryekëput politik.

“Nuk mendoj se ka ndonjë qytetar që këtë vendim e sheh si të drejtë, është vendim kryekëput politik”, ka thënë Konjufca në Info Magazinë.

“Kjo është përpjekje për ta eliminuar politikisht Vetëvendosjen, që ne të jemi në domenin e terrorizimit”.

“Vetëvendosja është e vetmja që i kundërshton politikat e tyre të padrejta që qeverisin në mënyrë kriminale dhe korruptive me një rrjet të gjerë si në polici e gjyqësi”.

Konjufca ka thënë se nuk është gjetur asnjë provë kundër katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që janë dënuar sot.

“18 vjet pas çlirimit janë dënuar politikisht njerëzit pa asnjë provë – Prokuroria sot nuk ka kallëzuar asnjë provë pse këta janë dënuar”.

“E vetmja gjë, ata janë dënuar për shkak të dyshimit dhe për atë, se Prokurorit i ka ardhur urdhri politik se duhet të dënohet Vetëvendosja për terrorizëm”.

Gjykata Themelore e Prishtinës i shpalli sot fajtor katër aktivistët e Vetëvendosjes për sulmin ndaj kuvendit. Ata u dënuan në total me 21 vjet e 6 muaj burg.

Frashër Krasniqi me 8 vjet, Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burg, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme