Google ADS

Humori i zi për politikën e zezë

18:52 | 17 Nëntor 2017
Arbresh.info

Shkruan: Ibrahim Berisha

Ky humor tregon: Tezja a fisi si interes nacional dhe shteti dhe qeverisja si interes personal, është ky tashmë një tregues i ditur publik e praktik për shkallën e lartë të defunksionalizimit të sistemit demokratik në shtetin e Kosovës.

Është një dorë e fortë, shpesh më fortë se vet dora e shtetit, ledhatuese në të parë, e cila në politikë, madje në të gjitha nënsistemet politike, që nga arsimi deri te diplomacia, herë e mbjellë ç‘do për nevoja dhe qefi të vet pa pasur asnjë detyrim për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës.

Ajo ledhaton për t’u dukur dëmi sa më i pa-dhimbshëm. Kjo dorë sa shkakton dëme,po kaq nxit edhe stimulon shpërthimin e humorit të zi, i njohur ky edhe si humor politik. Victor Raskin thoshte se humori politiku drejtohet politikanëve, institucioneve politike, grupeve dhe partive politike. Po kjo histori e “dorës së mirë” për interesin nacional, në thelb para politike dhe para institucionale në qeverisjet e shqiptarëve, ishte fatkeqësi humoristike e përsëri turpa ndalshëm, jeton që nga nisja e krijimit të institucioneve (1913) dhe qet krye krenar ishte dhe tash në të dy shtetet ku shumicën e popullsisë e përbëjnë shqiptarët.Shih çfarë ngjet në Shqipëri me kanabizmin e vendit dhe gjithë kjo prodhon një humor impres të zi.

Para politika që ka gisht kudo në vendimmarrje qesharake tregon formatin e vet të plotë edhe këto ditë në emërimin e 60 e sa zëvendësministrave dhe qindra këshilltarëve politikë në qeverinë e Kosovës.

Nuk ka dilemë, se kjo praktikë do të vazhdojë edhe me borde, agjensione etj, njësoj sikur ka ndodhur edhe me qeveritë e kaluara. Tezja a fisi si interes nacional dhe shteti dhe qeverisja si interes personal, është ky tashmë një tregues i ditur publik e praktik për shkallën e lartë të de-funksionalizimit të sistemit demokratik në shtetin e Kosovës.

Arsyet dhe motivet për t’u bërë një zyrtar me veturë e shofer, për të mbajt kollare e kostume këta zëvendësministra sot, po sikur ata dje, kanë qenë dhe janë të ndryshme, që nga tregimi i forcës së fisit, të mentalitetit provincial, ideologjisë, militantizmit partiak apo klientelizmit korruptiv, e deri tek kërcënimi dhe shantazhi i përsëritur për liderthët. Gjithë ky realitet gjerësisht përmes satirës politike në rrjetet sociale dëshmoi formën e qartë të distancimit nga modeli afatgjatë i tillë i qeverisjes.

Së fundmi, gjithë kjo ndërrmarje e madhe për të vendosur sa më shumë zëvendësministra dhe këshilltarë pakritere, ka qitur e mbushur komunikimin publik me humor të zi.

Një humor i zi, që luan rolin e terapisë për të mbijetuar pakënaqësinë pa shpërthyer fizkisht ajo dhe për të treguar ndryshimin e kulturës protestuese politike, që dikur manifestohej kryesisht me dalje në rrugë dhe sharje nëpër kafene. Humori i zi i këtyre ditëve tregoi se njerëzit edhe pse kanë harruar të qeshin, nuk kanë harruar të tallen me vendimet e gabuara politike që i ndjen secilën ditë në kurrizin e tij.

Aq sa tregojnë pjesa dërrmuese e emrave të emëruar dhe gjithë ky humor lucid dhe habi fantastike kolektive që u bë së fundmi këto ditë, kritere më të rëndësishme, por thuaja të paqenat kritere për këto poste, nuk është pikërisht ai që duhej të ishte për një shtetar, si kompetenca, kredibiliteti dhe autoriteti profesional. Kemi parë për këto pak ditë, po do të shohim edhe mbas atyre pak ditëve tjera, çfarë çudi politike e shtetërore do të ndodhin duke pasur këtë mori zyrtarësh pikërisht të hutuar nëpër zyra e korridore institucionesh.Andaj ende do të kemi humor të zi, i cili do të dëshmojë kulturën qytetare përmes komunikimit kreativ sarkastik verbal, shkrimor a vizatimor.

Gjithë këta zëvendësministra, një pjesë e tyre në krye të disa Ministrive të Asgjësë, të cilat as nuk dihet pse janë krijuar dhe identifikohen vetëm me objektet dhe punësimin, do t’a kenë problemin kryesor se si të kalojnë ditën, pasi, nëse lexohet detyrimi që kanë ata, ai është për të plotësuar hapësirën boshe kur mungon ministri. Pesë e gjashtë zëvendësministra në një ministri,në një shtet me 1.8 milionë banorë, janë pos tjerash, eksperimenti më humoristik i qeverisjes demokratike, nga i cili edhe vendet më të kamura në Afrikë, mund të mësojnë se çfarë duhet dhe si duhet bërë për të qenë të gjithë të pakënaqurit të kënaqur dhe të kënaqurit të lumtur.

Ky humor shpërthyes ditëve të fundit ngado, e në rrjetet sociale veçmas, shpreh kulturën qytetare protestuese, kundërshtuese, dhe njëherësh edhe një krenari që nuk duket shumë shpesh publikisht, pse jetojmë në një shtet që duhet dashur më shumë, por pa abuzuar me të mirat e tij humane dhe materiale. Ky humor mund të kuptohet si një mesazh i drejtpërdrejt proteste për politikat e deritashme qeveritare në dëm të shtetasve të saj dhe në dobi të tarafeve para politike dhe qeveritare. Kjo kulturë humori tregon pikën kritike, pikën më të skajshme të vlimit se ku gjendet shteti ynë, tregon standardin e shkelur themelor kushtetues e publik; për të mos shitur më politikat personale, provinciale, klanore, ndonjëherë edhe kriminale, si politika dhe interesi nacional.

Por, në gjithë këtë humor që u qas në rrjetet sociale, e mira më e madhe, nuk kishte armiqësi, sharje, agresivitet, nënçmim, këto disa nga element të humorit që i thekson Salvatore Attardo. Gjithë kjo ishte një tallje e qëllimshme, pra jo spontane, dhe mesazh për të ndikuar në reflektim politik. Kjo u bë për të treguar, sikur thoshte i famshmi sarkastiku Mark Twain se edhe në gjendje të rënda: Njerëzi kanë vetëm një armë efektive, dhe ajo është qeshja.

Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme