Google ADS

S’ka interesim për Panairin e Librit në Gjilan

10:07 | 9 Korrik 2015
Arbresh.info

Vapa nuk ka qenë fort problem për Xhevat Salihun nga shtëpia botuese “Tenda”, i cili deri pasdite ka pritur adhuruesit e librit para Teatrit të Qytetit në Gjilan. Ai thotë se ka mbetur i zhgënjyer me numrin e shtëpive botuese në Panairin e Librit në këtë qytet.

Edicioni i 43-të i kësaj ekspozite është hapur të mërkurën. Salihu është njëri nga vetëm pesë botuesit pjesëmarrës. Mosinteresimin e shtëpive botuesve ai e lidh me përtypjen që kanë krijuar viteve të kaluara, kur interesimi e fitimi nga shitja kanë qenë të pakta.

“Sivjet është shumë dobët. Nuk kanë ardhur shtëpitë botuese. Këtu te ne nuk lexohet shumë libri sikur në vendet e tjera. Numri ka rënë shumë sidomos këtë vit. Nuk e di ndoshta edhe për shkak të muajit të Ramazanit apo për shkak të vapës. Komuna ka ndarë mjete, por mund të bëjë më tepër”, ka thënë ai.

Udhëheqësi i një shtëpie botuese nga Shqipëria, i cili nuk pranon të flasë me emër, është ankuar goxha që në ditën e parë. “Çfarë të them. Është shumë i dobët ky panair. Këtu nuk ka asnjë interesim të lexuesve. Ndoshta edhe gjendja ekonomike, mirëpo duke e krahasuar me qytetet e tjera në Kosovë, aty kemi shitje të librit. Këtu është sikur të ekspozosh librat në shkretëtirë”, ka thënë ai.

Por ndryshe mendon kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri. Në hapjen e Panairit ai ka thënë se kjo ngjarje sjell freski.

“Në këtë të nxehtë të madh, jam i nderuar që me librat tuaj keni sjellë freski në Gjilan”, ka thënë ai në fjalën e tij.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme