Muharrem Sahiti: Do të vazhdoj me Kosovën

14:46 | 16 Nëntor 2017
Arbresh Info

Muharrem Sahiti ka thënë se kontratën që e ka me Federatën e Futbollit të Kosovës do të respektojë deri në fund.

Muharrem Sahiti përfundimisht ka vendosur ta vazhdojë punën në Përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Ish-ndihmësi i Albert Bunjakit ka thënë se kontratën që e ka me Federatën e Futbollit të Kosovës do të respektojë deri në fund, duke konfirmuar me këtë rast se nuk ka pretendime për të mbetur trajner i parë i Kosovës.

“Do të vazhdoj të punoj në Përfaqësuesen e Kosovës, pasi kam kontratë me Bordin e Federatës së Futbollit. Varet shumë edhe nga trajneri i ri, por pozicioni im do të shqyrtohet nga Bordi i FFK-së dhe presidenti Vokrri. Si gjithmonë jam i gatshëm të punoj për atë që kërkohet për futboll, por jo me pretendimin që të jam selektor i ardhshëm”, ka thënë Sahiti për “Epokën e re”.

Muharrem Sahiti në ndeshjen e tij të parë që prej largimit të Albert Bunjakit ka arritur t’i sjellë Kosovës fitore nga ndeshja miqësore me Letoninë (4-3), e cila u zhvillua të hënën në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Ai e ka pranuar se Kosova përfundimisht ka nevojë që trajneri i ri të ketë përvojë ndërkombëtare.

“Mund të them lirisht se Kosova ka nevojë për një selektor me përvojë, i cili ka drejtuar ndonjë ekip në kualifikimet për Kampionatin Evropian dhe Botëror”, ka deklaruar Sahiti.

Në fund ish-trajneri i Gjilanit ka folur edhe për urimet e para që i janë bërë pas fitores në miqësoren ndaj Letonisë.

“Dy nga telefonatat e para kanë qenë nga presidenti Fadil Vokrri dhe ish-selektori Albert Bunjaki. Që të dy më kanë uruar për fitore mua, stafin dhe futbollistët. Fitorja e ka gëzuar shumë Bunjakin, i cili ka bërë një punë shumë të madhe në ndërtimin e ekipit përfaqësues”, ka thënë Bunjaku.

Karriera e Sahitit edhe si futbollist ka qenë mjaft e suksesshme, ku ndër klubet kryesore ku është aktivizuar janë edhe Prishtina, Konyaspori, Lokomotiv Plovdiv, Thuni, Oberneulandi dhe Gjilani. Sahiti në qeverinë e kaluar ishte edhe këshilltar për sport i ministrit të MKRS-së, Kujtim Shala.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme