Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli përmes një statusi në profilin e tij në facebook ka përshëndetur deklaratën e anëtarit të presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës Bakir Izetbegoviç, i cili ka kërkuar njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga Bosnje e Hercegovina.
Pacolli deklaratën e Izetbegoviç e ka quajtur konstruktive, vizionare dhe pozitive, shkruan arbresh.info.
Ai ka thënë se njohja e Kosovës nga Bosnje dhe Hercegovina do të ishte hap natyral dhe domosdoshëm për thellimin e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit, që do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin rajonal.
“Sa më shpejtë kuptohet realiteti i një Kosove si shtet sovran dhe i pavarur, aq më i madh dhe i hovshëm do të ishte progresi dhe prosperiteti i gjithë Evropës Juglindore”, ka shkruar Pacolli.
Ky është shkrimi i tij i plotë në facebook:
“Populli dhe institucionet demokratike të Republikës së Kosovës mirëpresin dhe përshëndesin deklaratën konstruktive, vizionare dhe pozitive të anëtarit të presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, i cili kërkon njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga Bosnje e Hercegovina.
Duke pasur parasysh që Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina janë shtetet e vetme ish jugosllave që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, njohja nga Bosnje dhe Hercegovina do të ishte një hap natyral dhe i domosdoshëm për thellimin e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit, që do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin rajonal, gjithnjë drejt integrimeve Euro Atlantike si shtete moderne dhe demokratike.
Kemi ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit. Ne kemi vullnet të mirë që të ndërtojmë raporte të mira ndërshtetërore edhe me Bosnje dhe Hercegovinën dhe Serbinë. Sa më shpejtë kuptohet realiteti i një Kosove si shtet sovran dhe i pavarur, aq më i madh dhe i hovshëm do të ishte progresi dhe prosperiteti i gjithë Evropës Juglindore”./arbresh.info/
Kurti mirëpriti arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovë...
Tërmet në Japoni, sa ishte magnituda
Kombëtarja e Kosovës nis përgatitjet për miqësoret ndaj Esto...
Për çfarë Sara po e akuzon Gjestin se i mori?
Kearns, Vuçiqit: Mohimi është vazhdimësi e krimeve, ajo që f...
Leverkuseni i Xhakës synon vetëm fitore ndaj Salzburg