KMDLNJ: Qytetarët ta paguajnë vetëm 70% të faturës së KEDS-it

15:58 | 13 Nëntor 2017
Arbresh.info

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) përmes një komunikate për medias ka kërkuar nga qytetaret e Kosovës të mos e paguajnë energjinë elektrike në shumën e faturuar por ta paguajnë vetëm 70% të shumës së faturuar.

Sipas tyre, pjesën tjetër (30%) duhet ta paguajnë shpenzuesit serbë apo nga ndonjë burim tjetër e që nuk e dëmton buxhetin.

“Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë ,në një reagim para një viti ka kërkuar që të ndërpritet diskriminimi i shpenzuesve të energjisë elektrike shqiptarë dhe të nacionaliteteve tjera të cilëve u është faturuar rryma e shpenzuar nga serbët e veriut të Kosovës dhe komunave me shumicë serbe dhe të cilët , që nga përfundimi i luftës nuk e kanë paguar asnjë cent të vetëm për rrymën që e shpenzuar. Llogaritet që shuma e faturave për konsumatorët joserbë është ngarkuar me 25-30% të shpenzimeve të serbëve që nënkupton se nëse shuma e faturës ka qenë 100E ,25-30 Euro janë para për shpenzimet e serbëve hiç këtu edhe faturat e fryera , manipulimi me njehësorë sikur edhe keqperdorimi i skajshëm i tarifave , gjë që edhe është dëshmuar me fakte. Pas kësaj ka reaguar edhe Avokati i Popullit që pas përfundit të hetimeve ka konstatuar se dyshimet e KMDLNj –së kanë qenë të mbështetura në fakte duke kërkuar nga ZRRE ta ndërpresë këtë praktikë diskriminuese dhe t’i kompensojë konsumatorët e dëmtuar e që ZRRE , si pjesë aktive dhe përcaktuese e këtij diskriminimi , ka refuzuar ta bëjë”, thuhet në komunikatë.

Aty më tutje thuhet se Pastaj , Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit ka marrë vendim të zbatohen rekomandimet e IAP –it.
“Përkundër vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit për ndërprerjen e plaçkitjes së konsumatorëve e që bëhet në baza etnike si edhe të kompensohen në mënyrë retroaktive për dëmin e shkaktuar më shumë se 18 vite. Zyra e Rregullatorit dhe Energjisë Elektrike nuk e zbaton vendimin e Gjykatës së Apelit me arsyetim se Bordi i ZRRE –së nuk mund të merr vendim për faktin se nuk është i kompletuar në ndërkohë që po i njejti Bord, (i pakompletuar) e lejon KEDS –in që në mënyrë të kundërligjshme t’i plaçkitë shpenzuesit dhe paguesit e rregulltë të energjisë elektrike e që nuk i përkasin nacionalitetit serb. Ky skandal apo legalizim i plaçkitjes së konsumatorëve nuk do të tolerohej në asnjë vend dhe nuk do të kalonte pa pasoja ligjore për keqpërdoruesit e mjeteve financiare të konsumatorëve të cilët , po ashtu e kanë shumë vështirë t’i shlyejnë faturat për shpenzimet reale të energjisë e lere më të paguajnë për serbët që refuzojnë të paguajnë rrymën, të ndikuar kryesisht nga mosbindja politike”, thuhet në reagim.

Më tutje në komunikatën e KLMDNJ-së thuhet se ministri Lluka e dha një premtim publik se do të marrë fund kjo plaçkitje e KEDS –it e legalizuar nga ZRRE dhe se konsumatorët e dëmtuar do të kompensohen gjë që në rrethanat aktuale, KMDLNj e konsideron si premtim që nuk do të realizohet.

Si hap të parë, KMDLNj propozon që të zbatohet vendimi i Gjykatës së Apelit për ndërprerje të faturimit diskriminues, në baza etnike , kurse , si hap të dytë, deri të bëhet një zgjidhje përfundimtare dhe në përputhje me vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit, KMDLNj i fton qytetarët e Kosovës të mos e paguajnë energjinë elektrike në shumën e faturuar por ta paguajnë vetëm 70% të shumës së faturuar.

Pjesën tjetër (30%) le ta paguajnë shpenzuesit serbë apo nga ndonjë burim tjetër e që nuk e dëmton buxhetin, thuaja social të pjesës dërmuese të konsumatorëve.

“Autoritetet kosovare duhet ta detyrojnë KEDS –in të hyjë në standardet ekzistuese të pagesës edhe me kartela bankare e jo të detyrohen të paguajnë me para të gatshme por siç ka deklaruar një sporteliste më parë se duhet keshi që t’ju dërgohet padronëve në Turqi. Një shtet ka probleme serioze të sillet si shtet kur një kompani private KEDS dhe paterica e saj ZRRE nuk i zbatojnë vendimet përfundimtare të Gjykatave të atij shteti siç po ndodhë në Kosovë. Dhe vërtetë, a mund të thuhet në rastin konkret se KEDS – i dhe ZRRE janë vet shteti apo edhe mbi shtetin dhe se Republika e Kosovës është nën protektoratin e KEDS – it dhe ZRRE –së?,”thuhet në komunikate./Zëri/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme