Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Abdurrahim Islami, ka deklaruar se të gjitha faktet tregojnë se katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, janë përgjegjës për sulmin ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, në gusht të vitit 2016 dhe i ka propozuar gjykatës që të merr aktgjykim dënues ndaj tyre.
Këto deklarata, prokurori Islami i ka bërë në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku për vepra terroriste akuzohen katër aktivistët e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti e Adea Batusha.
Prokurori Islami, përmes video projektorit ka bërë përshkrimin e rastit të sulmit në objektin e Kuvendit të Kosovës, se si ka lëvizur motoçikleta, e cila më pas ishte gjetur e djegur, e-maili që u ishte dërguar mediave pas sulmit në emër të “rugovasve”, si dhe një fotografi të të ndjerit Astrit Dehari, duke e mbushur telefonin për ta thirrur shitësin e motoçikletës Heset Ramadani, për ta blerë.
Po ashtu, prokurori ka vazhduar të prezantojë provat nga hetimi që kishte zhvilluar, me të cilat pretendon se e-maili që u ishte dërguar mediave, është bërë nga telefoni, që sipas tij, e kishte blerë Adea Batusha. Sipas prokurorit, gjatë hetimit të tij, janë siguruar edhe xhirimet nga kamerat e një lokali, që sipas tij, shihet se e akuzuara e ka blerë telefonin, nga i cili më pas thotë se është dërguar e-maili.
Prokurori, ka thënë se raketahedhësi është transportuar me një çantë të kitarës.
Seanca është duke vazhduar.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë në dhjetor të vitit 2016, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë më të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit të po atij viti, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës.
Por, pasi që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, ndaj tij PSRK-ja kishte pushuar hetimet. Mirëpo, hetimet për vdekjen e tij nga Prokuroria në Prizren, po vazhdojnë ende.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar “me qëllim që të shkaktojnë frikësimin serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
Ndërkohë, katër aktivistët e akuzuar, tash e disa muaj ndodheshin nën masën e arrestit shtëpiak, pasi paraprakisht ata kanë qenë nën masën e paraburgimit. Kurse, nga e marta atyre u janë ndryshuar këto masa, duke iu caktuar vetëm ajo e paraqitjes në stacionin policor.
Ndryshe, ata ishin edhe kandidatë për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, ku prej tyre vetëm Frashër Krasniqi ka arritur të fitojë mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...