Pajaziti-Bulliqit: Nuk keni sjellë asgjë të re

10:54 | 13 Nëntor 2017
Arbresh.info

Anëtari i Komisionit për Integrime Evopiane, Zenun Pajaziti, thotë se komisioni aktual do të duhej të sjellë argumente që e përmbyllin këtë çështje, por nuk po i sheh përveç vizitave në Kroaci e Slloveni.

“Duhet të përmbyllet ky tregim pa paragjykime. Nëse ka diçka nga ai komision le të merret drejtësia. Argumentet politike nuk mund të injorohen. Nuk i lejohet politikanëve të abuzohet në emër të qytetarëve, Pejës,” është shprehur Pajaziti.

Shpejtim Bulliqi, kryesues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, po raporton para Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, rreth shënjimit të kufirit me Malin e Zi.

Në këtë komision ai po i përgjigjet pyetjeve të deputetëve rreth Marrëveshjes që përcakton kufirin me Malin e Zi.

Shpejtim Bulliqi, ish-deputet i LDK-së në Qeverinë e Isa Mustafës, ka qenë ndër më të zëshmit kundër marrëveshjes, duke u shprehur i bindur se Kosova i humbë 8 mijë hektarë.

Kryeministri Ramush Haradinaj, në ditët e para të qeverisjes ka emëruar Bulliqin në pozitën e tanishme për të qartësuar pretendimet për humbje të territorit.

Nga ana tjetër, autoritetet e Malit të Zi, marrëveshjen për kufirin me Kosovën e shohin si çështje të mbyllur.

Ngjashëm edhe ShBA dhe BE, kërkojnë që marrëveshja të ratifikohet dhe kështu t’i hapet rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme