Thaçi kritikon ‘demarkuesit’, dikush thotë se Haradinaj po luan me zjarrin

09:40 | 12 Nëntor 2017
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ditë më parë ka akuzuar Komisionin e ri për demarkacion të caktuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, se po manipulojnë mediat dhe opinionin publik lidhur me vijën kufitare.

Thaçi i quajti zhurmëkotët e zakonshëm, anëtarët e këtij komisioni duke thënë se ‘këta individë e ushqejnë sagën e tyre me trillime, të cilat plasohen tek opinion publik, i cili, si gjithmonë e pëson më së shumti jo vetëm për shkak se vazhdojnë të dëgjojnë të njëjtën zhurmë, por edhe sepse mungesa e përgjegjësisë shtetërore për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdon t’i mbajë qytetarët dhe shtetin e Kosovës të izoluar’.

Po ashtu Presidenti Thaçi kishte shkruar se ‘nuk mund të mbetemi peng të tekave të askujt dhe kauzave të rrejshme, të cilat jo vetëm që na mbajnë të izoluar, por rrezikojnë të prishin marrëdhëniet shtetërore me Malin e Zi, por mbi të gjitha, rrezikojnë të prishin bashkëpunimin dhe besimin që ka Kosova me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në’.

Në Zyrën e kryeministrit nuk dëshirojnë t’i komentojnë kritikat e Thaçit drejtuar këtij Komisionit, por thonë se janë në pritje të një raporti të tij për t’i dhënë drejtim këtij procesi.

“Komisioni për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror është krijuar për të përmbyllur një çështje të rëndësishme për Kosovën. Varianti aktual nuk ka votë dhe as përkrahje të shumicës. Prandaj po presim raportin e Komisionit dhe vlerësimet e plota për t’i dhënë drejtim këtij procesi”, është përgjigja e zyrës së kryeministrit drejtuar portalit arbresh.info.

Analisti politik, Bajrush Morina për portalin arbresh.info ka thënë se Presidenti Hashim Thaçi nuk po thotë asgjë të re përveç asaj që e ka thënë prej vitit 2015 kur e ka nënshkruar marrëveshjen, por se sipas tij është kryeministri Haradinaj që duhet të ndryshoj ndryshon qëndrimet e tij ose të largohet nga pozita e tij si kryeministër.

“Ai po mbron qëndrimin e tij se Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë tokë nga Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi. Është Ramush Haradinaj i cili tash nga pozicioni i kryeministrit duhet ose ta ndryshojë qëndrimin ose ta largoj veten nga kjo pozitë. Ramushin e ka bërë kryeministër PDK-ja dhe Hashim Thaçi. Kjo parti dhe ky president e durojnë Ramushin deri sa të mos i kalojë “vijat e kuqe”. Ndryshe në çdo moment mund t’ia heqin “tepihun e kuq” dhe Ramushi nuk është më kryeministër”, ka thënë ai.

Morina ka theksuar se kryeministri Haradinaj po luan me zjarr.

“Mu për këtë Thaci nuk e duron Haradinajn me krijimin e komisioneve të tjera për Demarkacionin.  Komisionin shtetëror e ka zgjedhur Hashim Thaci. Çdo kush që ia “përzin dorëzat” Hashim Thaçit e pëson si është më së keqi. Në këtë drejtim Ramushi po luan “me zjarr” ku mund të digjet vetë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj ka thënë për arbresh.info se deklarata e Presidenti Thaçi, shkon në  vazhdën e deklaratave të  tij si njeri i pushtetit pasi që sipas tij, Thaçi e ka të vështirë t’i qëndroj besnik punës në rolin e Presidentit.

“Posaçërisht kur kemi parasysh mungesën e aktivitetit ndërkombëtarë, si pasojë e mungesës së ftesave nga homolog së ndryshëm. Në këtë aspekt, nuk qëndron më  mirë gjerë me tani as kryeministri Haradinaj. Sipas të gjitha gjasave, politika e jashtme e Kosovës, do bëhet vetëm në  segmentin ballkanik. Pos  kësaj, duhet pasur parasysh se , Presidenti Thaçi është  nënshkrues i marrëveshjes së  demarkacionit  dhe se është i bindur që marrëveshja ka qenë në rregull. Ndryshe nuk  mund ta besojë që do ta nënshkruante”, ka thënë ai.

Duhanaj ka shtuar se tani presioni ka rënë mbi komisionin e ri dhe Kryeministrin  Haradinaj.

“Ata duhet sa me parë të sjellin rezultate. Të argumentojnë atë  çfarë  kanë proklamuar qe sa kohë, ose të heqin dorë  dhe t’i lirojnë qytetarët, të  cilët po mbahen peng”, është shprehur ai. /V.Berisha/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme