Në Maqedoni, shqiptarët mësojnë se fiset ilire janë maqedonas

18:44 | 11 Nëntor 2017
M. A.

“Fiset ilire më të njohura që kanë banuar në këto hapësira janë, Enkeleasit, Taulantët, Ardianët, Dardanët, Dalmatet”.

“Profesor, një sqarim. Këtu shkruan se ka pasur fise maqedonase, pellagonasit, linkestër, horestët, enkeleasit, dasaretët, a do të thotë se janë popuj të njëjte?”.

“Po, bëhet fjalë për një gabim teknik, pasi që më vonë do të shihni kur të mësojmë për shtetet dhe mbretëritë ilire dhe do të mësojmë posaçërisht për mbretërinë e enkeleasve dhe kjo si dëshmi nuk është e vërtetë”, tha profesori.

Fiset ilire, enkelejdët dhe dasaretët, për nxënësit e vitit të parë të shkollave të mesme në Maqedoni, sipas këtyre teksteve, vazhdojnë të mbesin maqedonas.

Profesori i lëndës së Historisë, Naser Miftari, shpjegon para nxënësve se fiset si enkelejdiët dhe dasaretët nuk janë fise maqedonase, por janë fise ilire. Ai thotë se në të njëjtin libër, disa faqe të tekstit janë fare të papërkthyera, përkatësisht janë lënë në gjuhën maqedonase, ndërkohë që u dedikohet nxënësve shqiptarë.

“Kërkojmë tërheqjen e tyre dhe kërkojmë botimin e teksteve të reja, duhet të krijohet një komision ekspertësh me të cilët jo vetëm si tekst në pamje por ajo duhet të ndryshojë dhe nga përmbajtja dhe nga aspekti didaktik i saj. Gabimet më trashanike janë qasja didaktike, në tekstin që duhet të punohet nuk plotëson kriteret. Gabimi tjetër , informata jo të sakta dhe shtojnë dyshim tek nxënësi dhe dikush tjetër”, tha profesori i Historisë, raporton TV21 i Maqedonisë.

Profesori thotë se gabimet faktografike nuk janë më të pakta në lëndën e Gjeografisë. Ai shton se aty shqiptarët e Maqedonisë rezultojnë të kenë prejardhje maqedonase, por me ardhjen dhe sundimin e Perandorisë Osmane, disa prej maqedonasve kanë pranuar fenë islame dhe kështu gradualisht janë shqiptarizuar.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, Nuhi Dardhishta, kërkon strategji dhe programe të reja, libra të rinj dhe se këtyre që mësojnë nxënësit ju ka skaduar afati.

“Kërkojmë strategji të re, programe të reja, tekste të reja, libra të rinj, se këtyre ju ka skaduar afati dhe ka shumë gabime. Kërkojmë në arsimin fillor dhe të mesëm që Ministria e Arsimit të konsultohet me shoqërinë civile, sepse ne jemi ata që bëjmë ndryshime, e jo ata njerëzit e njëjtë të ministrisë dhe të komisioneve që nuk ndryshojnë. Apeloj të formohet komisioni që nga shkurti e marsi, që të përpilohen ato programe dhe faza e parë të fillojë me strategji të re nga shkurti”, u shpreh kryetari i LASH-it.

Për të gjitha këto gabime nga Ministria e Arsimit, vetëm thonë se kanë dërguar deri te shkollat shkresë që gabimet të adresohen në ministri, e pasi t’i shqyrtojnë, të nisin me përmirësimin e tyre.

“Është e nevojshme ngritje e iniciativës që të mund të ndërmarrët diçka lidhur me tekstet shkollore. Ministria lëshoi shkrese deri te shkollat që të munden direkt arsimtaret ti deklarojnë gabimet në tekstet shkollore. Do te përpunohen të dhënat që të shihet më tutje se çka do te ndermirët me të njëjtit. Përndryshe për momentin po punohet ne ndryshimin e ligjit për tekstet shkollore”, thonë nga Ministria e Arsimit.

Pos gabimeve historiografike që po i hasin mësimdhënësit në librin e historisë dhe gjeografisë, të pashmangshëm janë gabimet edhe në librin e kulturës qytetare, ku shqiptarët i quajnë si të prapambetur dhe të pakulturuar. Ndërkaq, në tekstin e lëndës së muzikës, nxënësit shqiptarë, përveç se mësojnë këngë të përkthyera nga gjuha maqedonase dhe kompozitorë të huaj, motivet a atyre këngëve flasin për komunizmin jugosllav të Titos, në të cilat heronjtë kryesorë janë partizanët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme