Google ADS

Shurupi i panjës për reduktimin e përdorimit të antibiotikëve?

08:35 | 11 Nëntor 2017
Arbresh.info

Një ekstrakt i koncentruar i shurupit të panjës i bën bakteret që shkaktojnë sëmundje më të ndjeshme ndaj antibiotikëve, sipas eksperimenteve laboratorike nga hulumtuesit në Universitetin McGill.

Gjetjet sugjerojnë që kombinimi i ekstraktit të shurupit të panjës me antibiotikë të zakonshëm mund ta rrisë ndjeshmërinë e mikrobeve, duke çuar në përdorim të reduktuar të antibiotikëve. Përdorimi i tepruar i antibiotikëve e nxit shfaqjen e baktereve rezistuese ndaj ilaçeve, gjë që është bërë një shqetësim i madh publiko-shëndetësor në mbarë botën.

Ekipi hulumtues i prof. Nathalie Tufenkji në Departamentin e Inxhinierisë Kimike McGill e ka përgatitur një ekstrakt të koncentruar të shurupit të panjës i cili përbëhet kryesisht nga komponimet fenolike. Shurupi i panjës, i bërë duke e përqendruar tretjen nga pema e panjës nga Amerika e Veriut, është një burim i pasur i komponimeve fenolike.

Hulumtuesit e testuan efektin e ekstraktit në laborator në variantet e baktereve të caktuara që shkaktojnë infeksione, duke e përfshirë E.coli dhe Proteus mirabilis (një shkak i zakonshëm i infeksionit të traktit urinar). I vetëm, ekstrakti ishte shumë pak efektiv në luftimin e baktereve.

Por ekstrakti i shurupit të panjës ishte veçanërisht efektiv kur aplikohej në kombinim me antibiotikët. Ekstrakti gjithashtu veproi sinergjikisht me antibiotikë në shkatërrimin e komuniteteve rezistuese të baktereve të njohura si biofilma, të cilat janë të zakonshme në infeksionet që trajtohen vështirë, si infeksionet e traktit urinar që lidhen me katetër.

“Do të duhet të bëjmë teste in vivo (në organizma të gjallë), dhe përfundimisht prova klinike, para se të mund të themi se çfarë efekti do të kishte në njerëz”, thotë Tufenkji. “Por gjetjet e sugjerojnë një qasje potencialisht të thjeshtë dhe efektive për reduktimin e përdorimit të antibiotikëve. Mund ta shoh ekstraktin e shurupit të panjës të inkorporuar përfundimisht, për shembull, në kapsula të antibiotikëve.”

Shkencëtarët konstatuan gjithashtu se ekstrakti ndikon në shprehjen e gjeneve të baktereve, duke e shtypur një numër të gjeneve të lidhura me rezistencë ndaj antibiotikëve dhe virulencave.

Të gjitha mostrat e shurupit të panjës të përdorura në studim janë blerë në tregjet lokale në Montreal, më pas janë ngrirë deri në fillim të çdo eksperimenti, i cili e përfshiu një seri hapash për të prodhuar ekstrakt të pasur me fenol.

Tufenkji, kryesuese e Canada Research Chair in Biocolloids and Surfaces, e ka studiuar edhe potencialin për derivatet e boronicës për t’i luftuar bakteret që shkaktojnë infeksion. Studimi i ri është hartuar bashkërisht edhe nga kolegët akademikë Vimal Maisuria dhe Zeinab Hosseinidoust.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme