Google ADS

Edi Rama dhe Lulzim Basha debat në Facebook për mediat

12:24 | 10 Nëntor 2017
Arbresh.info

Kryeministri shqiptar, Edi Rama përmes një statusi në Facebook i është përgjigjur liderit demokrat, Lulzim Basha për cënimin e lirisë së medias.

Rama shkruan se prej fjalëve të tij, medias nuk i ka hyrë ferrë në këmbë. Madje i kujton atij se për lirinë e fjalës është rrahur vite më parë.

Sakaq më herët Basha e akuzoi se klima që krijon Edi Rama inkurajon kriminelët që të sulmojnë gazetarët, shkruan Opinion.al.

Statusi i plotë i Edi Ramës në Facebook:

LB ishe ti apo isha unë në çadër kur ulërije “të gjitha mediat janë të kapura nga droga përveç një kanali tv”, të cilin i’a rekomandoje publikut si burim të kulluar?! Unë kurrë s’e kam imagjinuar, jo më ta them një veshëgjatllëk të tillë. Eshtë thjesht shpifje!

Prandaj kërkoju falje njëherë të gjitha mediave (përveç njërës) që i kriminalizove me baltën e Çadrës për muaj të tërë, ditë për ditë, pastaj fol sa të duash për rrezikun që u vjen nga fjalët e mia.

Po mos e harro, unë kam jetuar me ta, kam punuar me ta, kam ngrënë kopaçe kokës e më ka dalë edhe gjak për lirinë e fjalës bashkë me ta. Apo s’e mban mend?! Kështu që nga unë e nga fjalët e mia dje, sot e mot, atyre mund t’u dalë më shumë vrer nga goja kundër meje e qeverisë sime, po kurrë nuk u ka hyrë, nuk u hyn e nuk t’u hyjë një gjemb në këmbë. Kurrë.

Por natyrisht, gojë s’kanë vetëm ata dhe gojën time e kam pasur, e kam dhe do ta kem sa të kem frymë, për të vërtetat e mia që nuk i negocioj e as i kyç në heshtjen hipokrite të medemek respektit për median!

Të gjithë jemi të lirë të flasim, njerëzit pastaj janë të lirë t’i gjykojnë të gjithë, edhe mua njësoj si gjithë të tjerët. Të respektosh median, do të thotë të respektosh lirinë e tyre edhe kur gënjejnë e shpifin, po jo të heshtësh edhe kur gënjeshtrat e shpifjet e tyre bëhen mal para syve të tu. Ashtu sikundër ja edhe tani, në këtë moment, ti je i lirë të gënjesh e të shpifësh ndaj meje, siç po bën prej një muaji e ca – më vjen vërtet gjynah për ty po është e drejta jote të ribëhesh qesharak. Ama njerëzit duhet të dëgjojnë edhe anën time e pastaj gjykojnë vetë ata, mos e ki merak.

Sepse, mos e harro, ta kam thënë shpesh, në publik po edhe sy më sy, kush i merr shqiptarët për budallenj e pëson dhe sa më shumë t’i bëjë për budallenj aq më keq e pëson! Çudi e madhe me ty o mik që nuk mëson.

 

Statusi i plotë i Lulzim Bashës në Facebook:

 

Fjalimi i djeshëm i Edi Ramës kundër gazetarëve është fjalim kriminal. Me fjalime të tilla, ai është duke nxitur përditë urrejtjen dhe dhunën ndaj gazetarëve. Gazetarët janë ndër njerëzit më të rrezikuar në botë, shënjestër e shpeshtë e krimit dhe e politikanëve të korruptuar. Vetëm pak ditë më parë në Maltë u vra në mënyrë barbare një gazetare që hetonte kryeministrin.

Klima që krijon Edi Rama inkurajon pikërisht kriminelët që të sulmojnë gazetarët që raportojnë dhe hetojnë krimin dhe korrupsionin. Njeriu që ka thurur vetëm lavde dhe përkëdheli për Elvis Roshin, Saimir Tahirin dhe kriminelët e tjerë më të cilët rrethohet, duhet të ndalë menjëherë gjuhën e tij të rrezikshme.

Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, intelektualëve, gazetarëve dhe politikanëve ta denoncojnë dhe të mos heshtin përballë kësaj sjellje kriminale të kryeministrit. U bëj thirrje organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të huaj që të dënojnë këtë gjuhë urrejtje dhe të dhunshme të kryeministrit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme