Kosova synon pjesëmarrjen në Unionin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme BE-Kosovë

10:02 | 10 Nëntor 2017
Arbresh.info

Në mbledhjen e Qeverisë u miratua shqyrtimi i propozim-vendimit për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit “Konkurrenca e Ndërmarrjeve dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme-Cosme 2014-2020, ndërmjet BE dhe Kosovës.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka thënë se nisma për lidhjen e kësaj marrëveshje është miratuar nga Qeveria e Kosovës.

“Ne si ministri kemi propozuar grupin punues për marrëveshje dhe kemi marr pëlqimin nga ministri i Punëve të Jashtme. Ne kemi harmonizuar draftin përfundimtar të marrëveshjes që është i gatshëm për nënshkrim me përfaqësuesin e Komisionit Europian”, ka thënë ai.

Ministri, Besim Beqaj ka propozuar që komisionit të lartëcekur t’i shtohen edhe dy anëtare nga Ministria e Inovacionit.

“Meqenëse ministria e Inovacionit është përgjegjëse për ndërmarrësi propozoj që të shtohen edhe dy anëtarë nga kjo ministri, pra janë 9 gjithsej le të shtohen edhe dy”, ka thënë ai.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxha ka thënë se qasja e Kosovës në programet e BE-së, është qasje ndërsektoriale.

“Është proces që kemi pritur 7-8 vite, prandaj ftoj çdo ministër të ketë koordinim para se të qasemi në programet e BE-së. Nuk ka të bëjë me ministritë kompletë por me fushat që ju mbuloni si ndërmarrësia e të tjera. Këtu paguajmë anëtarësi, dhe shqetësimi që kam unë nuk është vetëm pagesa por a mund ta shfrytëzojmë të drejtën në anëtarësi”, ka thënë Hoxhaj.

/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme