Ministri Gashi: OSBE-ja partner i rëndësishëm i MKRS-së

18:02 | 9 Nëntor 2017
M. A.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka takuar shefin e OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu me të cilin ka biseduar lidhur me bashkëpunimin ndërmjet MKRS-së dhe OSBE-së në fushat që kanë të bëjnë me kulturën, rininë dhe trashëgiminë kulturore.

Fillimisht ministri Kujtim Gashi falënderoi shefin e OSBE-së Jan Braathu për vizitën e tij dhe i premtoi atij bashkëpunim. Ministri Gashi theksoi se bashkëpunimi me OSBE-në është tejet i rëndësishëm, sidomos në çështje që lidhen me programin e MKRS-së për rini, duke potencuar si të domosdoshëm programin për punë praktike të të rinjve, si dhe përkushtimin e përbashkët për të vazhduar me aplikimin e programeve në luftën kundër ekstremizmit.

Gjithashtu ministri Gashi kërkoi nga ana e misionit të OSBE-së në Kosovë që të vazhdojë ta mbështesë MKRS-në në avancimin e legjislacionit në fushën e rinisë.

Ndërsa shefi i OSBE-së, Braathu e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe u shpreh se OSBE-ja është në Kosovë që të punojë me Institucionet e saj për të gjetur zgjidhje praktike për çështjet e dialogut.

Ai më tej u shpreh se OSBE-ja është e përkushtuar që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me MKRS-në, veçmas në çështje që lidhen rininë, kulturën, trashëgiminë kulturore dhe dialogun me komunitetin serb.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme