Kosova e fundit në rajon për cilësi të internetit

10:03 | 9 Nëntor 2017
Arbresh.info

Kualiteti i internetit që ofrohet në Kosovë nga kompanitë e ndryshme, nuk është i nivelit të kënaqshëm, thonë qytetarët. Derisa operatorët e tjerë nuk u deklaruan për këto shqetësime, Telekomi i Kosovës thotë se ndodhet në fazën e përforcimit të rrjetit, që më pas do të jetë edhe më i shpejtë.

Është një bindje e përgjithshme e qytetarëve që interneti që ofrohet në Kosovë, qoftë përmes telefonisë mobile, apo kabllore shtëpiake, është i nivelit më të ultë në rajon. Mirëpo, Arsim Bilalli nga Telekomi i Kosovës, për Radio Kosovën thotë se kjo gjë nuk është e saktë. Shpejtësia e internetit, sipas tij, varet nga disa faktorë: nga cilësia e telefonit, mbulueshmeria që e ofron operatori, gjendja momentale e rrjetit dhe shumë parametra të tjerë.

“Nuk kemi ankesa të tilla se interneti është i dobët, përkundrazi fitimin operatorët e kanë nga ofrimi i shpejtësisë se internetit. Nëse keni qëlluar në ndonjë zone ku nuk mbulohet apo ka dendësi te madhe, atëherë cilësia e shërbimit varet direkt nga cilësia e rrjetit te operatorit që e vizitoni në regjion (psh Albtelecom, Vodafone, T-Mobile, etj, etj.)”, thotë Bilalli.

Telekomi i Kosovës, sipas tij, ndodhet në fazën e zgjerimit të rrjetit, përforcimeve teknike, ndërrimit dhe ri-funksionaizimit të antenave të reja që do të rrisin edhe më tepër shpejtësinë e internetit dhe në të njëjtën kohë do të zgjerojnë gamën e produkteve për të gjithë konsumatorët.

Ndryshe nga Telekomi, operatorët e tjerë si Ipko dhe Kujtesa, nuk iu përgjigjen pyetjeve tona edhe pse ka ankesa të ndërprerjes së shpeshtë të internetit.

Operatorët paralajmërojnë programe të ndryshme, posaçërisht të transmetimeve të kampionateve të ndryshme sportive, shpesh duke i mashtruar në këtë mënyrë qytetarët, thotë kryetari i Organizatës Konsumatori, Selatin Kaçaniku.

“Totalisht mungon komunikimi i këtyre bizneseve me konsumatorin e tyre, dhe kjo më së miri shihet te reklamat që jo rrallë janë mashtruese, dhe shihet kur konsumatori duhet të njoftohet për ndërprerjet e mundshme, për riparimet e mundshme dhe që është më e keqja kur të gjitha këto duhet të kompensohen”, shprehet Kaçaniku.

Mos-paralajmërimi për ndërprerjen e internetit, konsumatorëve u shkakton dëme të ndryshme, qofshin ata klientë qytetarë apo biznese, është shprehur Kaçaniku. Ai ka kërkuar ndërkaq, që kjo çështje të rregullohet nga organet gjegjëse.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme