Gjysma e banorëve të veriut nuk e shohin veten në të ardhmen në Kosovë

23:19 | 8 Nëntor 2017
M. A.

Vetëm 2.1% e të anketuarve nga katër komunat veriore besojnë se Marrëveshja e Brukselit i ka përmirësuar të drejtat dhe liritë e komunitetit serb në Kosovë.

Në periudhën qershor-gusht 2017, OJQ “Aktiv” nga Mitrovica e Veriut ka realizuar një sondazh të opinionit publik në katër komunat veriore me shumicë serbe. Sondazhi përfshiu 800 pyetësorë, 4 fokus grupe dhe 6 intervista të gjata.

Ky sondazh publik përfshiu çështje lidhur me sigurinë, të drejtat e pakicave, situatën ekonomike, Marrëveshjen e Brukselit dhe rolin e BE-së në proceset në Kosovë.

Shumica e trendeve janë negative, e që tregojnë nivelin në rritje të pakënaqësisë.

Një rezultat i nxjerr në studimin e opinionit të qytetarëve në katër komuna e veriut të Kosovës thotë se gati gjysma e banorëve në këtë pjesë nuk e shohin veten në Kosovë në një të ardhme të afërt.

“Pothuajse çdo i/e dyti/a i/e anketuar nuk e sheh veten në Kosovë në pesë vitet e ardhshme”, ka thënë kjo OJQ bazuar në studimin e bërë, raporton Koha.net.
Një nga trendet e rralla pozitive ka të bëjë me pritjet e qytetarëve lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave serbe (AKS).

“Në vitin 2017, 32% e të anketuarve nuk presin që AKS të themelohet, që është një rënie prej 15%, krahasuar me vitin 2016. Nga ana tjetër, trendi më i lartë negativ i evidentuar lidhet me gjendjen e përgjithshme të sigurisë në veri të Kosovës, pasi përqindja e njerëzve që mendojnë që gjendja e sigurisë është përkeqësuar në vitin që po e kalojmë (52,3% në 2017) është rritur 38% krahasuar me vitin 2016”, thuhet në raportin e OJQ “Aktiv”.

Ndërkaq, një ndër gjetjet më të rëndësishme nga analiza krahasuese e rezultateve të nxjerra nga hulumtimi i këtij viti dhe atij të vitit të kaluar, është padyshim qëndrimi i qytetarëve ndaj Bashkimit Evropian.

“Të anketuarit në veri të Kosovës nuk kanë pikëpamje pozitive mbi rolin e BE-së në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, e që shkaktoi tendenca negative në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian në krahasim me sondazhin e vitit të kaluar. Ky trend “euroskeptik” mund të jetë pasojë e një konteksti më të gjerë shoqëror, fillimisht nga kriza në Bashkimin Evropian shkaktuar nga Brexit, por gjeneratori kryesor i një pozicioni të tillë është sigurisht perceptimi ndaj rolit të BE-së në ndikimin e proceseve me rëndësi të madhe për pozitën e tashme dhe të ardhshme të serbëve në Kosovë”, thotë “Aktiv” në analizën e raportit “Studim i opinionit të qytetarëve në veriun e Kosovës”.

“Pothuajse 80% e të anketuarve besojnë se Bashkimi Evropian mban anën Prishtinës në procesin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thotë organizata “Aktiv”.

Diskutimi “Analizë e trendit: Studim i opinionit të qytetarëve në veriun e Kosovës” organizohet si pjesë e projektit “Sigurimi i kornizës së qëndrueshme për pjesëmarrje qytetare dhe vendimmarrje demokratike në nivel institucional lokal dhe qendror në Kosovë”.

Ky grant financohet nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Dokumenti me të dalat do të prezantohet ditën e martë, më 14 nëntor në Qendrën për Energji Qytetare, duke filluar nga ora 13:00. Prezantimi i rezultateve do të pasohet nga një panel diskutimi, me pjesëmarrës: Sanja Sovrliq, gazetare dhe Drejtoreshë Ekzekutive e “Crno beli svet”, Jovana Radosavleviq, Drejtoreshë Ekzekutive e “New Social Initiative”, Lazar Rakiq, Menaxher i Programit “Alternative Dispute Resolution Center” dhe Stefan Velkoviq, Drejtor Ekzekutiv i “YEC Synergy”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme