Yıldırım në Uashington: Presim hapa konkret nga SHBA për ekstradimin e Gylenit

23:09 | 8 Nëntor 2017
Arbresh.info

Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, tha sot në Uashington se pret hapa konkretë nga institucionet amerikane për të ekstraduar Fetullah Gylenin, kreun e organizatës terroriste FETO, raporton Anadolu Agency (AA).

“Pala jonë ka dërguar gjithçka që nevojitej, të gjitha informatat, të gjithë dokumentacionin. Nuk ka ngelur ndonjë dokument tjetër për t’u dërguar institucioneve këtu. Mund të them se janë dërguar më shumë dokumente sesa që nevojiten. Tani presim nga institucionet relevante të SHBA-ve të ndërmarrin hapa konkretë”, tha Yıldırım në një prononcim para gazetarëve në Uashington, ku gjendet për vizitë zyrtare.

Yıldırım tha se qëllimi i vizitës së tij në SHBA është të arrihet progres në çështjet në të cilat dy vendet nuk kanë arritur të dakordohen.

“Ne do të shpalosim shumë arsye të drejta për zhvillimin e marrëdhënieve Turqi-SHBA në drejtim pozitiv, e jo në drejtim negativ”, theksoi kryeministri turk.

“Problemet mes SHBA-ve dhe Turqisë, siç është problemi i FETO-s dhe ai i PKK/YPG/PYD-së, nuk janë probleme që nuk mund të zgjidhen. Ne kemi vullnet për këtë. Ne do ta shpalosim në mënyrë të hapur dhe të sinqertë këtë çështje gjatë këtyre takimeve dhe me këtë rast do ta kuptojmë edhe qëndrimin e palës tjetër”, tha Yıldırım.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në SHBA, Yıldırım shoqërohet nga zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë ministrin e Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, dhe ministrin e Energjisë dhe Resurseve Natyrore, Berat Albayrak.

Siç është bërë e ditur, Yıldırım të enjten do të takohet me zëvendëspresidentin e SHBA-ve, Mike Pence.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme