Avokati Gashi tregon kush ka imunitet para Gjykatës Speciale

16:47 | 8 Nëntor 2017
M. A.

Dy ditë më parë Gjykata Speciale e ka hapur aplikimin për avokatët, të cilët do mbrojnë klientët e tyre pas ngritjes së aktakuzave. Aplikimi i tyre nuk ka kohë të kufizuar, andaj mund të bëhet në çdo kohë.

Avokati kosovar, Tomë Gashi, në një prononcim për Indeksonline, ka treguar se çdo avokatë është i lirë të aplikojë kur të dojë. Ndërkaq, ai ka treguar se ai do të aplikojë së bashku me dy avokatë tjerë amerikan.

“Aplikimi për avokatë në Speciale nuk është i kufizuar në kohë, kështu që secili avokat ka mundësi të aplikojë kur të dojë. Unë jam me dy avokatë tjerë amerikan si ekip i avokatëve dhe ne sigurisht që do të aplikojmë në momentin që jemi serioz, përndryshe aplikimi nuk është i limituar”, deklaroi Gashi.

I pyetur se kur do fillojnë aktakuzat e para, Gashi ka thënë se një gjë të tillë e din vetëm prokurori. Por, sipas tij, hapja e aplikimit për avokatë ka qenë përgatitja e fundit për fillimin e kësaj gjykate.

“Askush nuk e din kur fillojnë aktakuzat e para, atë e din vetëm prokurori se kur do i ngrejë ato, mirëpo kjo ka qenë pjesë e fundit e përgatitjes së speciales. Tash vetëm pritet që prokurori t’i ngrejë akuzat dhe gjitha infrastruktura për fillimin gjykatës speciale është e gatshme, duke përfshirë këtu edhe avokatët”, tha tutje ai.

Gashi ka treguar se nuk ka ndonjë person që ka imunitet para kësaj gjykate, pa marrë parasysh pozitën politike.

“Askush nuk ka imunitet në këtë gjykatë, prej presidentit e të gjithë tjerët, në çfarëdo periudhe kohore që kanë mbajt çfarëdo pozite politike, askush nuk ka imunitet prej gjykatës speciale”, përfundoi avokati Gashi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme