Gjykata e Apelit e ka liruar nga akuza ish-kryetarin e saj, Salih Mekaj, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ku thuhej se Mekaj në mars të vitit 2015 ishte takuar me të dëmtuarin Zef Gruda dhe djalin e tij, Pal Gruda për kthimin e një borxhi për një të afërm të tij.
Sipas aktakuzës, ky takim ishte aranzhuar për qëllim të nxjerrjes së borxhit në shumë prej 200,000 eurosh, që Gruda i kishte të afërmit të tij, Asdren Mekajt.
“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, nuk ekziston asnjë element inkriminues në veprimet e të pandehurit Mekaj, kjo për faktin se qëllimi ka qenë zgjidhja e problemit në mes dy familjeve dhe për këtë arsye është gjetur kisha-katedralja në Prishtinë si vendtakim për arritjen e marrëveshjes”, thuhet në aktvendimin e Apelit, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij aktvendimi, gjykimi për Mekaj dhe tre të pandehurit tjerë do të vazhdojë për pikat e tjera të aktakuzës.
Ndryshe, Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj dhe tre të pandehurve tjerë Vlora Goranit, Mentor Seferaj dhe Ali Seferaj.
Aktakuza në këtë rast ishte ngritur më 31 maj të vitit të kaluar. Sipas aktakuzës, i pandehuri Salih Mekaj, në cilësinë e personit zyrtar ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për persona të tjerë. Mekaj i ka premtuar të pandehurës Vlora Gorani se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste, si dhe ricilësimin juridik të veprave penale, nga veprat penale më të rënda në ato më të lehta, në mënyrë që dy të pandehur në ato raste të lirohen nga paraburgimi. I pandehuri Mekaj me këtë qëllim ka kërkuar nga gjyqtarja e njërit rast në fjalë që ta caktojë shqyrtimin gjyqësor në atë lëndë, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Njëra prej këtyre lëndëve ka të bëjë me bashkëshortin e saj, Fahri Deçani për veprën penale të shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe vrasjes në tentativë.
Ndërsa, lënda tjetër ka të bëjë me mikun e saj Mentor Seferaj, për veprat penale që lidhen me narkotikët në formë të krimit të organizuar, për të cilat lëndë i pandehuri Mekaj i ka premtuar të pandehurës Gorani se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor, si dhe ricilësimin juridik të veprave penale, për të cilat ngarkohen të pandehurit Deçani dhe Mentor Seferaj nga veprat penale më të rënda në ato më të buta, në mënyrë që ata të lirohen nga paraburgimi.
Sipas aktakuzës, Mekaj për këtë qëllim ishte takuar me gjyqtaren e çështjes, Lumturije Muhaxheri, më 16 korrik 2015, në Prishtinë , nga e cila kishte kërkuar që ta caktoj shqyrtimin gjyqësor edhe pse e ka ditur që një gjë e tillë është në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, të datës 26.11.2013, që lënda kundër të pandehurve Fahri Deçani nuk mund të veçohet dhe kjo lëndë duhet të bashkohet me lëndët për të njëjtën çështje penale ndaj të pandehurve, Haki Gjocaj dhe Florim Gjocaj.
Sipas kësaj pike, Mekaj kishte kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i KPRK-së.
Sipas kësaj aktakuze, e pandehura Gorani për veprimet e lartcekura akuzohet për shtytje në kryerjen e vepres penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”
Po ashtu, Gorani akuzohet se në bashkëkryerje me dy të pandehurit Mentor dhe Ali Seferaj për veprën penale “dhënia e ryshfetit”, pasi në bazë të marrëveshjes paraprake dhe në bashkëpunim mes veti me 20 shkurt të vitit 2015, në Pejë, e pandehura Gorani ka marrë nga i pandehuri Seferaj para në shumë prej 20.000 eurosh, të cilat sipas aktit akuzues ka pasur për t’ia dhënë Mekajt, me qëllim që përmes tij të arrij lirimin nga paraburgimi i të pandehurve Mentor Seferaj dhe Fahri Deçanit./Betimipërdrejtësi/
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...