Ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë ish-zyrtarët e kësaj komune, Minir Krasniqi, Kadri Ukimeri, Sadik Paçarizi, Avni Ademaj dhe Abdullah Tejeci do të ulen në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar për të dytën herë me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gjykata Themelore e Gjilanit ka caktuar kohën kur do të nis rigjykimi ndaj Mujës dhe pesë të tjerëve.
Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra i ka thënë “Arbresh.info” se ky rast tashmë i është ndarë njërit prej gjyqtarëve të kësaj gjykate, dhe se rigjykimi i këtij rasti pritet të nis shumë shpejt.
“Lënda i është caktuar gjyqtarit dhe në fillim të muajit dhjetor pritet të caktohet seanca ndaj Ramadan Mujes dhe të tjerëve”, është shprehur Shkodra.
Në gusht të këtij viti Gjykata e Apelit pati kthyer në rigjykim rastin ndaj kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe 5 ish-zyrtarëve të tjerë të kësaj komune.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren në mars të vitit 2014 pati dënuar Ramadan Mujën me 2 vite burgim me kusht që i njëjti të mos kryej asnjë vepër penale për një periudhë 3 vjeçare, dhe me një dënim alternativ të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për 30 muaj.
Ndërsa, Gjykata e Apelit, pas gati një viti e gjysmë kishte vendosur që lënda të kthehej në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë në Prizren, për shkak se kishte konkluduar se ishin bërë shkelje esenciale në përmbajtjen e aktgjykimit të shkallës së parë.
Aktvendimi i Gjykatës së Apelit kishte arritur në Gjykatën Themelore të Prizrenit në shtator të vitit 2015.
Në këtë aktvendim ishte anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit P.nr.171/13 i lëshuar më 13 mars 2014 dhe lënda ishte kthyer në Gjykatën Themelore për rigjykim.
Mirëpo, në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Supreme e pati rrëzuar vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit ndaj Mujës dhe të tjerëve, duke marrë vendim që ky rast të kthehet sërish në Gjykatën e Apelit për rivendosje të aktgjykimit të shkallës së parë.
Vendimi i Supremes kishte ardhur pas pranimit të ankesës së prokurorisë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit në shtatorin e po të njëjtit vit, që rasti ndaj kreut të Prizrenit, Ramadan Muja të kthehet në Gjykatën Themelore të Prizrenit për rivendosje.
Supremja, kishte vendosur që aktvendimi i apeluar të anulohet dhe lënda t’ i kthehet Gjykatës së Apelit për rishqyrtim nga një trup i ri gjykues./Arbresh.info/ Gita Lushi
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...