Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit e filluar në korrik të vitit 2014, do të jetë e gatshme për qarkullim në fund të vitit 2018. Kjo autostradë, parashihet të që si qëllim final të ketë krijimin e qasjes më të lehtë në relacionin rrugorë Prishtinë – Shkup.
Ela Ruçi, zëdhënëse në konsorciumin turko-amerikan “Bechtel- Enka”, kompani fituese për ndërtimin e kësaj rruge, thotë se punimet në këtë autostradën po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë në kontratë.
“Punët po ecën sipas një programi të paracaktuar me Ministrinë e Infrastrukturës, me të cilët kemi rënë dakord që ceremonia e hapjes finale, pra përfundimi i punimeve, të jetë në fund të vitit 2018”.
“Ky është një angazhim shumë i madh i marrë nga kompania jonë. Ky është një angazhim që ndihet në tërë stafin. Ne po punojmë me intensitet që të ta mbajmë këtë obligim që kemi marrë në raport me qytetarin dhe Qeverinë e Kosovës”, thotë Ruçi.
Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit që lidhë Kosovën me Maqedoninë, kap shumën e rreth 600 milionë euro dhe po ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash.
Ajo do të ketë dy tunele, ndërsa më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2.2 kilometra.
Ruçi thotë se terreni në ndërtimin e kësaj autostrade është mjaft sfidues dhe i vështirë.
“Është një terren që qytetarët e Kosovës dhe atë që vinë nga Maqedonia dhe që e kanë bërë shpesh atë rrugë e njohin sa i vështirë është dhe me shumë rrëshqitje. Është në ndërtim e sipër një prej urave më të mëdha 2.7 kilometra qëshkon mbi hekurudhën ekzistuese. Sfidat teknike janë të jashtëzakonshme. Megjithatë, ne po punojmë intensivisht që puna jonë, rezultati final të jetë ai i kërkuari nga të gjithë”, thotë Ruçi.
Autostradat e Kosovës (autostrada që lidhë Kosovën me Shqipërinë, e përfunduar dhe autostrada për Maqedoni), që synojnë ta lidhin atë me vendet e tjera të rajonit, nuk kanë reflektuar një zhvillim të madh ekonomik, sado që sipas ekspertëve ato mund ta kenë nxitur këtë zhvillim.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikanë në Kosovë, Arian Zeka në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se ndërtimi i autostradave duhet të përcillet me masa të caktuara në fushën e zhvillimit ekonomik.
“Njëri prej përftimeve më konkrete është që Kosova do të bëhet pjesë e rrjeteve rrugore evropiane dhe rrjedhimisht ndërkombëtare, dhe kjo do ta vendosë Kosovën në hartën botërore me një infrastrukturë të zhvilluar rrugore”.
“Por, ajo që vendi duhet të ketë fokusin më të madh janë përftimet në aspektin ekonomik, dhe këtu duhet të punohet në promovimin e eksporteve të Kosovës, ne mënyrë që autostradat të mos shërbenin vetëm për trafikun e njerëzve por të shërbenin edhe për qarkullimin e mallrave nga Kosova në vendet tjera, gjë që ka qenë qëllimi parësor kur ka filluar ndërtimi i autostradave”, thotë Zeka.
Shkëmbimet tregtare mes shteteve që lidhin këto autostrada, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave asnjëherë nuk kanë qenë në favor të Kosovës.
Deficiti tregtar vazhdon të jetë i lartë në Kosovë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e importit nga Shqipëria në vitin e kaluar kap vlerën e mbi 100 milionë euro, derisa vlera e produkteve të Kosovës që janë eksportuar në Shqipëri janë rreth 42 milionë euro.
Ndërkaq, importi i mallrave nga Maqedonia në Kosovë në vitin e kaluar ka qenë mbi 150 milionë euro, ndërsa, eksporti nga Kosova në Maqedoni ka qenë mbi 35 milionë euro.
Sot hapet Konventa e Industrisë së Drurit të Kosovës
Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona
Urdhri për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të P...
Barcelona ka një plan të qartë për Gyokeres, ta transferojë ...
Më 3 dhjetor mbahet ankandi i letrave me vlerë për vitin 202...
Vetura përplas për vdekje një 80-vjeçar në Malësi të Madhe