Google ADS

Muhaxhiri: Haradinajt i duhet gjetje kreative për ta kaluar Demarkacionin

19:32 | 6 Nëntor 2017
M. A.

Pa e kaluar Demarkacionin me Malin e Zi, Kosovës s’mund t’i liberalizohen vizat.

Kjo ka qenë porosia e vazhdueshme e Bashkimit Europian edhe kohëve të fundit, prejse kryeministër është bërë, Ramush Haradinaj, njeriu që sa ishte në opozitë e ka luftuar vazhdimisht këtë vi kufitare me shtetin fqinj, duke thënë se është e gabuar dhe i humbë tokë Kosovës.

Por tani që është vet kryeministër, Haradinaj s’është se ka dhënë ndonjë opsion se si mund të ndryshohet Demarkacioni, prandaj analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se Haradinaj, duke ditur se gjasat i kishte të mëdha të vije në pushtet, do të duhej ta kishte një plan se si t’ia bëjë me Demarkacionin.

Kurse tani, sipas Muhaxhirit, çështja s’duhet të qëndrojë e bllokuar, por Haradinaj e stafi i tij e kanë të domosdoshme ta gjejnë një zgjidhje kreative për ta zhbllokuar këtë situatë dhe të krijohet mundësia për liberalizim të vizave.

“Gjatë kohës kur ka qenë në opozitë, Ramush Haradinaj është dashur ta ketë një ide realiste për t’u përballur me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi nëse do të vinte në pushtet, një plan B. Pra, pa populizëm dhe me kufizimet e shumta institucionale që vetëkuptohen”.

“Pasi Haradinaj me qëndrimin aktual është në kundërshtim me SHBA-në dhe NATO-n, prandaj atij i nevojitet një kreativitet politik për ta kaluar këtë gjendje”.

“Kryeministrit duhet ta gjejë një opsion kreativ ku ai nuk do të dilte humbës, ose hipokrit, por edhe do të afroheshim drejt liberalizimit. Ai e ka për obligim të bëjë çmos dhe jo të bllokohet duke mbetur peng i qëndrimeve të deritanishme”.

“Për çështjen e liberalizimit të vizave ia vlen të sakrifikohet pak”, deklaroi Muhaxhiri në Info Magazinë të Klan Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme