Google ADS

Nga kjo ditë do të gjobiteni nëse s’keni gomat e dimrit dhe zinxhirët në veturë

23:58 | 5 Nëntor 2017
Arbresh.info

Nga 15 nëntori të gjithë vozitësit në Kosovë do të duhet të jenë të përgatitur përkrahë detyrimit ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore që kanë të bëjnë me veturat.

Të gjithë vozitësit në Kosovë detyrohen që nga kjo datë të posedojnë gomat e dimrit dhe zinxhirët përderisa shoferët e autobusëve dhe kamionëve transportues duhet të kenë edhe mjete të tjera shtesë nëse në rrotat lëvizëse të makinës nuk mund të vendosen zinxhirë për borë.

Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha ka thënë për Indeksonline se pikërisht nga data 15 nëntor Policia e Kosovës, planifikon masa operacionale shtesë për mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së ligjit në trafik, dhe se kërkohet nga të gjithë pjesëmarrësit që të ndërmarrin me kohë të gjitha masa përgatitore sipas ligjit në fuqi.

Gjithashtu Hoxha ka shtuar se Policia apelon tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të jenë vigjilent duke pas parasysh dhe ndryshimet atmosferike dhe zvogëlimin e dukshmërisë dhe mjegullat në mënyrë që t’i shmangen aksidenteve në trafik, raporton Indeksonline.

“PK do të vazhdojë të monitorojë të gjitha rrugët në vend dhe kudo që hasë në drejtues që bien ndesh me rregullat e trafikut. Masa ligjore do të ndërmerren në vazhdimësi për të garantuar një siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit nëpër rrugët tona”, ka përfunduar Hoxha.

Ndryshe të gjithë vozitësve në Kosovë u kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë për t’u përgatitur me këto pajisje në mënyrë që të mos gjobiten.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme