Ministri Gashi: Mërgimtarët do ta kenë Kartonin e Gjelbër vitin e ardhshëm

10:45 | 5 Nëntor 2017
Arbresh.info

Mërgimtarët kosovarë në verën e vitit të ardhshëm pritet që t’i gëzohen marrjes së kartonit të gjelbër. E me marrjen e këtij kartoni ata nuk do të jenë më të detyruar të bëjnë pagesa nëpër pikat kufitare sic janë duke bërë tani. Kështu ka thënë në një intervistë për arbresh.info, ministri i diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.

“Në verën e ardhshme kur fillojnë bashkatdhetarët të vijnë në Kosovë do të kenë karton të gjelbër pra nuk do të kenë nevojë që të paguajnë këtë që e bëjnë sot. Sot i kemi bërë disa lehtësime fillestare e deri në qershor besoj se do ta përfundojmë”, ka thënë ministri Gashi për arbresh.info.

Në këtë intervistë ministri Gashi ka folur edhe për shkarkimin e sekretarit  të Ministrisë së Diasporës, Osman Shahinin duke thënë se arsyet kanë të bëjnë me çështjen e shkeljes së vazhdueshme të rregulloreve dhe ligjeve.

“Arsyet janë të specifikuara në vendim do të thotë është çështje e shkeljes së vazhdueshme të rregulloreve, ligjeve edhe mos zbatimit të detyrave por materiali si i tillë i dorëzohet Komisionit Disiplinor dhe ky në fund e vlerëson a kam të drejtë unë apo jo, do të thotë arsyeshmërinë e jep Komisioni Disiplinor”, ka thënë ai.

Ministri Gashi për arbresh.info ka shpalosur edhe nënshkrimin e dy marrëveshjeve që priten të nënshkruhen në fund të nëntorit të këtij viti në mes Republikës së Kosovës  dhe asaj të Shqipërisë e njëra nga to sipas tij ka të bëjë me arsimin shqip në diasporë.

“Edhe këtu kemi zgjidhje në fund të muajit më 27 nëntor në Korçë do të nënshkruajmë marrëveshjen me Republikën e Shqipërisë ku dy qeveritë bashkërisht do të financojnë arsimin e fëmijëve tonë që jetojnë jashtë edhe në aspekt profesional edhe në aspekt financiar do të bashkëpunojmë ngushtë me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë”, ka pohuar ai.

I pyetur nga arbresh.info se si ka menduar si ministër të tërhjek investimet e huaja në Kosovë, ai ka pohuar se pret që shumë shpejtë Qeveria e vendit të merr vendim për pezullimin e procesit të privatizimit dhe pronat të jenë në dispozicion të investitorëve.

“Është ligji i posaçëm për Investime Strategjike dhe në bazë të atij ligji do të veprojmë, ndër të tjera besoj se shumë shpejtë do të merret vendimi edhe në nivel të Qeverisë për pezullimin e procesit të privatizimit edhe këto prona do të jenë në dispozicion të investitorëve të huaj, jo të shiten më ashtu si për një copë bukë”, ka shtuar ministri Gashi.

Ai ka folur edhe për regjistrimin e diasporës duke thënë se janë dikund rreth 300 e 50 mijë qytetarë të regjistruar. Sipas tij procesi për regjistrimin e diasporës do të përfundojë në momentin kur ekspertët vlerësojnë se janë regjistruar 95 për të mërgimtarëve.

“Pjesa më e madhe e punës është kryer qysh më herët do të thotë prej kur ka fillu ministria në dy mandatë më herët, janë dikund rreth 300 e 50 mijë qytetarë të regjistruar do të thotë praktikisht procesi është në përfundim e sipër, shpenzime nëse ka pas, ka pas në fazën fillestare tash kjo fazë nuk është e kushtueshme në kuptim serioz. Do të përfundojë atëherë kur ekspertët mendojnë që është përfshi 90 për qind ose 95 për qind të qytetarëve që janë jashtë”, ka thënë ai./J.Zhuniqi/Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme