Google ADS

Zbulohet në Haraçinë një gur varri 1800 vjeçar

22:30 | 4 Nëntor 2017
Arbresh.info

Derisa po punohej në kanalizimin e Haraçinës, punëtorët gjetën një gur varri me mbishkrime romake, që thuhet të jetë i vjetër 1800 vjet.

“Dje ishte duke u punuar këtu për kanalizimin. Ishin duke gërrye këtu një kompani. Në momentin që ishin duke gërryer hasen në një gur”, tha Irfan Faiku, banor i Haraçinës.

Punëtorët njoftuan menjëherë autoritetet komunale, ndërsa më pas ishte njoftuar edhe policia.

Në vendngjarje erdhi edhe arkeologia Lenka Jovanovka nga muzeu arkeologjik Skupi.

Ajo tha se bëhet fjalë për mbishkrim varri.

Sipas saj, në këtë epigraf shkrimi është në gjuhën latine dhe se bëhet fjalë për një grua romake, me emrin Gajvaleria Klaudia.

Jovanovka shtoi që ky nuk është zbulim i rastësisshëm dhe i vetëm në këtë rajon, meqë sipas historisë, siç thotë, ky territor dikur i ka takuar qytetit romak Skupi.

Arkeologia tha se pllaka e varrit është e shekullit II të erës sonë dhe se është 1800 vjet e vjetër.

“Përndryshe, fshati Haraçinë si e gjithë ultësira e Shkupit, në aspektin territorial-administrativ i ka takuar territorit më të gjerë të qytetit romak Skupi, kolonisë Flavia Skupi Skupinorum, qendra e së cilës ka qenë në afërsi të fshatit Zllokuqan. Bëhet fjalë për një pllakë varri kushtuar një gruaje të quajtur Gaja Valeria Klaudia, e cila pllakë, me shumë gjasa është ngritur nga bashkëshorti i saj”, tha Lenka Jovanovka, arkeologe.

Banorët e Haraçinës thanë se kjo nuk është hera e parë, pasi edhe më herët kanë gjetur gurë me mbishkrime historike.

“Sipas personave okularë tregojnë që ka ende. Tash nuk mund ta konfirmoj atë. Mirëpo të shohim tash, në bazë të organeve kompetente ato i dinë parametrat e veta. Dhe do të shohin a do të vazhdojnë me gërmime”, tha Fidai Beluli.

Pasi guri u nxor nga kanali, me kërkesë të arkeologes u dërgua në muzeun Skupi, ku janë të vendosura edhe pllakat tjera të gjetura më parë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme