Selimi: VV nuk do të tolerojë asnjë kompromis për Demarkacionin

14:12 | 4 Nëntor 2017
Arbresh.info

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi,  ka thënë se partia e tij u qëndron pas fjalëve të dhëna qysh para nënshkrimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe se nuk mund të ketë kompromis, sipas të cilit Kosova do të humbaste territor.

“Ne si ‘Vetëvendosje’ mendimin e kemi të qartë dhe të pandryshueshëm në vazhdimësi sa i përket rrezikimit të territorit nga Marrëveshja me Malin e Zi. Thaçi, kryeministër i djeshëm dhe president i sotëm, ka bërë shkelje të Kushtetutës në dëm të shtetit dhe të integritetit territorial të Republikës së Kosovës në momentin kur e ka nënshkruar këtë marrëveshje, këtë e thotë edhe vetë Kushtetuta, që Thaçi është dashur të ishte në mbrojtje të integritetit dhe të sovranitetit”, ka potencuar Selimi.

Ai thotë që Kosova nuk mund të humbë territor si kompromis dhe një gjë e tillë, sipas tij, është shkelje e Kushtetutës së Kosovës.

“Ne nuk mund ta paguajmë haraçin e nënshkrimit të Thaçit për humbje territori, kështu që pavarësisht situatës së krijuar sot dhe mbajtjes peng të liberalizimit të vizave me anë të këtij nënshkrimi nuk ka llogari as nuk duhet të humbet territor si kompromis, humbja e territorit si kompromis është e pafalshme, shkelje e sovranitetit, është shkelje e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, është shkelje e Kushtetutës së Kosovës. Nuk ka justifikim i cili e mbulon shkeljen e Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Selimi për Zërin.

Deputeti i Vetëvendosjes ka thënë se kjo situatë nuk është e re, pasi që VV e ka paralajmëruar qysh herët dhe jo vetëm gjatë nënshkrimit, por edhe para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

“Kryeneçësia e Thaçit në favor të interesave territoriale të Malit të zi na ka sjellë në këtë situatë goxha të komplikuar, prandaj sot kryeministri i sotëm duhet që të mos shpejtojë asnjë hap në drejtim të realizimit të një kompromisi të keq që ka bërë Thaçi, përndryshe do ta merrte përgjegjësinë edhe ky siç e ka marrë Thaçi në kohën kur ka qenë ministër i Jashtëm i Kosovës”, ka përfunduar Selimi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme