Rishpallen fajtorë, dënohen me burg 10 të akuzuarit për grabitje

11:56 | 3 Nëntor 2017
L G

Gjashtë të akuzuarit për grabitje në hotelin “Swiss Diamond”, dhe katër të akuzuarit për grabitje në filialin e bankës “TEB” në Prishtinë, për herë të dytë janë shpallur fajtorë, në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Shkëlzen Leci, Ibrahim Qadraku dhe Fatlum Begolli, janë dënuar me nga gjashtë vjet burgim efektiv, kurse Xhemajl Qadraku, Mentor Beqolli dhe Liridon Leci me nga një vit burgim. Shpend Krasniqi me tre vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa Agon Dulla me një vit e pesë muaj burgim. Durim Ajupi është dënuar me nëntë muaj burgim dhe Vehbi Beqolli me 1.000 euro gjobë.

Po ashtu, Leci, Qadraku dhe Beqolli janë obliguar që të dëmtuarës “TEB Bank”, t’ia kompensojnë dëmin në shumën prej 39.930 euro, si dhe të dëmtuarit Vilson Palokaj shumën e dëmit të shkaktuar 38.000 euro.

Kjo lëndë ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, në tetor të vitit 2016, për shkak, siç ka vlerësuar kjo gjykatë, të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 mars 2016, kishte shpallur fajtorë të akuzuarit Leci, Qadraku dhe Begolli, të cilët ishin dënuar me nga shtatë vjet burgim, ndërsa të akuzuarit tjerë ishin dënuar njëjtë si në aktgjykimin e kësaj të premte.

Shkëlzen Leci, Ibrahim Qadraku, Fatlum Begolli, Shpend Krasniqi, Xhemajl Qadraku, dhe Mentor Beqolli, akuzoheshin se kishin kryer grabitjen në hotelin “Swiss Diamond”, ndërsa Liridon Leci dhe Agon Dulla, së bashku me Shkëlzen Lecin, Ibrahim Qadrakun, Fatlum Begollin, akuzoheshin për grabitje në filialin e bankës “TEB” në Prishtinë.

Prokuroria pretendonte se Leci, Qadraku, Begolli, Krasniqi, Duraku dhe Beqolli, me 28 maj 2014, kishin kryer grabitjen pas marrëveshjes paraprake me të pandehurin Hyzri Tullari, i cili gjendet në arrati, të udhëzuar fillimisht nga Shpend Krasniqi, i cili ishte punëtor sigurimi në hyrjen kryesore të këtij hoteli.

Ata akuzoheshin se nga hoteli “Swiss Diamond”, kishin marrë stoli në vlerë prej 199.530.00.

Më pas të pandehurit Shkëlzen Leci, Ibrahim Qadraku dhe Fatlum Beqolli kishin ikur me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe në një grup me të pandehurit Xhemajl Qadraku, Mentor Beqolli dhe Hyzri Tullari, i kishin fshehur një pjesë të stolive ne afërsi të një rruge në Matiqan. Më pas Qadraku dhe Beqolli me 9 gusht 2014, kishin shkuar dhe i kishin marrë stolitë dhe i kishin dërguar në shtëpinë e Qadrakut, të cilat stoli janë gjetur dhe konfiskuar nga policia me 9 gusht 2014.

Prokuroria, gjashtë të pandehurit bashkë me Hyzri Tullarin, i cili gjendet në arrati, i ngarkonte me veprën penale “grabitja”, nga neni 329 paragrafi 3, të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërkaq, Shkëlzen Leci, Ibrahim Qadraku, Fatlum Beqolli, së bashku me Liridon Leci dhe Agon Dullën, akuzoheshin edhe për grabitje në filialin e bankës “TEB” në Prishtinë, në lagjen “Bregu i Diellit”. I pandehuri Dulla, me 1 qershor 2014, kishte blerë veturën “Opel Omega”, pa targa të regjistrimit nga i dëmtuari, Kastriot Gashi, dhe më pas bashkë me të pandehurit Leci dhe Qadraku, i kishin vendosur targat, të cilat i përkisnin veturës së Sevdaim Islamit.

Sipas aktakuzës, të njëjtit, kishin hyrë të maskuar dhe të armatosur, në filialin e bankës “TEB”, Tullari dhe Beqolli me armë në dorë i kishin kërcënuar punëtorët e bankës. Të pandehurit, gjithnjë sipas aktakuzës, kishin grabitur shumën e të hollave prej 39.930 euro, dhe me një shpejtësi ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

I pandehuri Vebi Beqolli, sipas prokurorisë, prej kohës së pavërtetuar e deri me 26 qershor 2014, akuzohet se në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjin, policia gjatë bastisjes në shtëpinë e tij i kishin gjetur dhe konfiskuar një pistoletë, me të cilën djali i tij, Fatlum Beqolli e kishte përdorur për të kryer grabitjen në këtë bankë. Prokuroria e ngarkonte me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll pse posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 374 paragrafit 1 të Kodit Penal ë Kosovës.

I pandehuri Agon Dulla, akuzohej se pas kryerjes se grabitjes në bankën “TEB”, ishte takuar me të dëmtuarin, Kastriot Gashi dhe e kishte kërcënuar. Me këtë ka kryer veprën penale “kanosje” nga neni 185 paragrafi 1, të Kodi Penal të Kosovës.

I akuzuari Durim Ajupi, sipas prokurorisë, gjatë muajit korrik 2014, pas kryerjes se grabitjes, i kishte ndihmuar të akuzuarit Dulla, për ta mos zbuluar për kryerjen e grabitjes. I njëjti e kishte thirr në telefon Dullën dhe e kishte informuar se e kishte thirr policia për veturën “Opel Omega” e cila ishte përdoruar për kryerjen e grabitjes në bankën “TEB”. Me këtë ka kryer veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes se veprave penale”, nga neni 388 paragrafi 1, të Kodi Penal të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme