Opozita synon ta rrëzojë Qeverinë në pranverë

08:20 | 3 Nëntor 2017
L G
Deputetët e opozitës po synojnë që në pranverën e ardhshme ta rrëzojnë qeverinë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të mosbesimit. Ata po presin që fillimisht të përfundojë rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale dhe 100-ditëshi i këtij ekzekutivi dhe më pas të veprojnë drejt rrëzimit të saj.
 Partitë opozitare janë zotuar sërish se do ta rrëzojnë Qeverinë e re, të kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Përfaqësuesit e këtyre dy subjekteve opozitare (LDK e LVV) kanë thënë se do të punojnë intensivisht që kjo Qeveri të mos jetë jetëgjatë. Drejtuesit e LDK-së kanë deklaruar se pas 100 ditësh punë të Qeverisë aktuale do të bëhet vlerësimi dhe do të shihet për hapat e mëtutjeshëm, në mënyrë që nëse Qeveria nuk dorëzohet vetë, atëherë të rrëzohet me anë të mocionit të mosbesimit.

Me këtë rast edhe drejtuesit e LVV-së kanë bërë të ditur se do ta mbështesin një mocion të tillë në momentin kur ai iniciohet.

Disa nga deputetët e opozitës, sipas burimeve të gazetës “Zëri”, po planifikojnë që rrëzimi i Qeverisë të ndodhë në pranverën e ardhshme, pasi që deri në fund të këtij muaji derisa të përfundojë balotazhi, ndërsa përgatitjet për rrëzimin e Qeverisë nëpërmjet mocionit të mosbesimit do të nisin në fillim të vitit tjetër.

Megjithëkëtë, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës, pavarësisht se i kanë vetëm 61 vota në Kuvend, insistojnë se opozita nuk ka gjasa që ta rrëzojë Qeverinë meqë nuk i ka numrat e nevojshëm.

Nga ana tjetër njohësit e çështjeve politike, ndonëse kanë konsideruar se Qeveria e tanishme është tejet e brishtë, kanë thënë se ende është herët të flitet për mocion.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme