Mustafa flet për përparimin e Kosovës në raportin e MCC-së

23:55 | 2 Nëntor 2017
Arbresh.info

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka lavdëruar qeverinë që ka drejtuar për punën që ka bërë, në reformën e të bërit biznes.

Mustafa, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka përshëndetur përparimin e Kosovës në indikatorët për vitin 2018 të agjencisë federale amerikane, Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

Postimi i plotë i Mustafës:

“Reformat e periudhës Mars 2016 deri në Mars 2017 sot u shpallën nga MCC -ja se dhanë rezultate të mrekullueshme për Kosovën. Në Qeverinë që e kam drejtuar unë, kemi arritur të përmirësojmë 12 nga 19 treguesit të cilët maten nga institucione të ndryshme ndërkombëtare dhe shfrytëzohen nga MCC-ja për programet e tyre me shtete të ndryshme. Edhe pse arritëm të marrim programin Threshold, sot, janë hapur mundësitë që të fitohet programi Kompakt. Jam mjaft i lumtur që rezultatet e Qeverisë që kam udhëhequr, sot u shpallen si shumë të suksesshme.

Në mandatin tonë:

– Arritëm të përmirësojmë treguesit e Lirisë Ekonomike.

– Arritëm të përmirësojmë treguesit e shtetit të së drejtës, e theksi vihet tek përmirësimi për 23 pikë përqindje të luftës kundër korrupsionit.

– Arritëm të përmirësojmë treguesit kategorisë së investimit në kapitalin njerëzor.

Këto janë rezultate të shtetit të Kosovës. Ato trokasin në ndërgjegjen tonë!”, ka shkruar Mustafa, cili postimit ia ka bashkangjit edhe linkun ku preyantohen të arriturat e Kosovës në raportin e Agjencisë federale amerikane, Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme