Google ADS

Habilaj – Tahiri, takim sekret në Ministrinë e Brendshme?

23:57 | 1 Nëntor 2017
Trina Galanxhi

A është Saimir Tahiri “shefi i madh” që Florian Habilaj takoi në Tiranë në fund të vitit 2013? Ku u takua vëllai i Moisi Habilajt me të? A biseduan ata për lojërat e fatit apo për trafikun e kanabisit?

Prokuroria e Krimeve të Rënda po përpiqet t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve duke mbledhur prova.

Ajo dyshon se “shefi i madh” për të cilin flasin vëllezërit Habilaj në përgjimet e antimafias së Katanias është pikërisht kushëriri i tyre, me të cilin kishte lidhje të ngushta: i kishin blerë makinën, ia kishin dhënë disa herë kur e kishte kërkuar përsëri, e mbanin me emrin e tij dhe targat që kishte përdorur ministri i Brendshëm, përdornin emrin e tij nëpër postbolloqe…

Provat që kërkohen, thotë një burim i besueshëm për lapsi.al, janë mbi një takim që mund të jetë zhvilluar mes ministrit të Brendshëm dhe Florian Habilajt në kulmin e operacionit “Fundi i Marrëzisë”.

Edhe në përgjime Florian e Moisi Habilaj përmendin lojërat e fatit që ishin qëllimi i këtij operacioni.

Prokuroria dyshon se takimi mund të jetë zhvilluar në zyrën e Ministrit, mëson lapsi.al.

Për këtë arsye ajo ka sekuestruar në fundjavë librin e hyrje-daljeve pranë ministrisë së Brendshme.

Sipas rregullave, çdo person që hyn në këtë dikaster, duhet të lërë në hyrje kartën e identitetit, ndërsa emri i shënohet në regjistër.

Prokurorët shpresojnë te ndonjë pakujdesi e Tahirit. Ai kishte pritur në zyrën e tij edhe një person që i kishte rrëfyer se ishte vrasës me pagesë, si Durim Bami.

Dhe takimi me Florian Habilajn, i njohur si “Lolo” nuk përjashtohet që të ketë ndodhur po në zyrën e Ministrit të Brendshëm.

Ja çfarë thonë vëllezërit Habilaj për këtë takim.

  • Florian Habilaj: Më kërkoi shefi i madh në Tiranë
  • Moisi Habilaj: Çfarë donte shefi?
  • Florian Habilaj: Asgjë, për situatën
  • Moisi Habilaj: Ah … ai i fole me ti
  • Florian Habilaj: Po, më priti në orën 11:30, edhe taksinë ma pagoi
  • Moisi Habilaj: Çfarë tha
  • Florian Habilaj: Më tha, ‘kush janë këto … çfarë kanë … si janë punët’ … e unë i thashë ‘kështu e kështu’.
  • Moisi Habilaj: Atëherë…
  • Florian Habilaj: Më tha ‘mos u shqetëso, mos u mërzitni … është çështje orësh.
  • Moisi Habilaj: Ah, mirë, ti duhej ti thoje që ne nuk kemi faj, këtë duhej ti thoje.
  • Florian Habilaj: Por unë i thashë që ne … për asgjë. E ai më tha që ‘ata e kanë bërë qëllimisht që unë ti merrja në telefon’.
  • Moisi Habilaj: Edhe ne e kemi kuptuar. Ja pse nuk e shqetësuam (shefin).
  • Florian Habilaj: Edhe ne e kemi mësuar … dhe më tha…I mora në telefon dhe u thashë: ‘Nuk duhet të përfshiheni në lojëra, në çështje të fatit’.

Ish -kryeministri Sali Berisha, një prej njerëzve me më shumë informacion për zhvillimet në vend, njoftonte pak ditë më parë se takimi ka pasur në fokus pikërisht lojërat e fatit.

“Ky eshte famozi Lolo, qe sipas pergjimit te autoriteteve italiane erdhi me vrap tek i “madhi” ne Tirane gjate operacionit policesk “Fundi i Marrezise” per lojrat e fatit, te ankohej tek Saje qorri kunder Agron Xhafes, pronar tjeter i lojrave te fatit ne Vlore. Saje zgjidhi sherrin! sb”, raportonte “qyetetari dixhital” i tij.

Saimir Tahiri do të thirret sërish në Prokurorinë për Krime të Rënda. Do të japë shpjegime për disa detaje të reja që kanë dalë nga përgjimet e Habilajve, në dosjet e tjera që kanë ardhur nga Italia.

Hetimet e italianëve janë shndërruar në një udhërrëfyes për prokurorët shqiptarë. Ata kërkuan që në fillim të kontrollojnë shtëpinë e ish -ministrit, në përpjekje për të gjetur sendet me vlerë, gjerdanë e byzylykë, që Habilajt thonë në bisedat mes tyre se kanë blerë për nënën dhe bashkëshorten e tij.

Nëse prokurorët do të gjejnë gjurmë të hyrje – daljes së “Lolos” në Ministrinë e Brendshme, situata për Tahirin do të rëndohet dhe skandali që ka shpërthyer mund të arrijë kulmin, pasi do të provohet se për aktivitete kriminale janë përdorur edhe zyrat e shtetit. /Lapsi.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme