Google ADS

Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës trajtohen edhe në buxhetin e 2018

15:08 | 1 Nëntor 2017
Arbresh.info

Ministri i Financave Bedri Hamza priti sot në takim drejtoreshën ekzekutive të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës Feride Rushiti, ku u diskutua për gjendjen e viktimave te dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Gjatë takimit Ministri Hamza theksoi se “ Unë kam nderin që si Ministër i Financave për herë të patë të merrem me këtë kategori shumë të dhimbeshe, por edhe shumë të respektuar të shoqërisë tonë në Kosovë. Nga dita e marrjes së mandatit ne e kemi vendosur prioritet trajtimin e kësaj kategorie me kujdesin më të madh të mundshëm”.

“Përveç vendimeve të mëdha që kemi marr këtë vit për ta ndihmuar këtë kategori, ne gjithashtu kemi vendosur në Buxhetin e vitit 2018, i cili është aprovuar dje në Qeveri të Kosovës, një linjë të rregullt buxhetore për sa i përket trajtimit financiarë të kësaj kategorie”, shtoi ministri Hamza.

Ai gjithashtu bëri të ditur se është i përkushtuar në marrjen e veprimeve dhe vendimeve tjera për ti adresuar të gjitha kërkesat dhe sfidat me të cilat përballen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe do ta trajtoj këtë kategori me prioritetin më të lartë.

Me këtë rast, Ministri Hamza i ka ofruar gjithë ndihmën dhe ka hapur mundësin e komunikimit të rregullt me shoqatën e trajtimit të kësaj kategorie për ti adresuar kërkesat në kohë reale.

Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës Feride Rushiti, tha se “Fillimisht shfrytëzoj rastin ta falënderoj Qeverinë aktuale, njëkohësisht Ministrin Bedri Hamza, sepse tani 18 vite pas luftës, për herë të parë këto kategori të dala nga lufta, pra viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, po e marrin kompensimin i cili parashihet me Ligjin për vlerat e luftës”.

“Natyrisht, që ky kompensim nuk do të thotë anashkalim i të gjitha atyre vuajtjeve që kjo kategori kanë pasur, po mbi të gjitha përmes këtij kompensimi shteti po tregon që ka përkujdesje, po ja njeh vuajtjen e tyre, që mbi të gjitha ka qenë edhe kërkesë e tyre gjatë këtyre viteve” shtoi znj.Feride Rushiti.

Ajo gjithashtu theksoi se “Në takimin që patëm me Ministrin Bedri Hamza, biseduam rreth mënyrës së procedimit dhe funksionalizimit të Komisionit qeveritar për dokumentimin dhe verifikimin e viktimave të dhunës seksuale. Dhe ndihemi mirë që patëm një bashkëpunim të sinqertë, një derë të hapur, ku u diskutua edhe mundësia që në çdo moment, kur në qoftë se numri i këtyre personave që do të atakojnë këtë Komision do të rritet, Ministri do të jetë fleksibil, i gatshëm për ti ndihmuar dhe për ta reviduar Buxhetin dhe për ta shtuar buxhetin në qoftë se nevojat janë më të mëdha”.

“Mos të harrojnë, që 18 vite pas luftës kjo kategori nuk ka reshtur së luftuari për tu njohur e drejta e tyre, dhe po them që është qeverisja e parë që ka marrë hapin e guximshëm për tu ballafaquar me të kaluarën për të ofruar një drejtësi sociale për të gjithë viktimat e dhunës seksuale që kanë pësuar gjatë luftës në Kosovë”, shtoi znj. Feride Rushiti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme