Ishte lajmëruar prej shumë ditësh se ditën e djeshme Moisi Habilaj do të dilte para Gjykatës së Katanias, pikërisht në atë vend ku edhe akuzohet se ka kryer aktivitetin më të madh të trafikut të drogës. Me pranga në duar, nën masa të rrepta sigurie ai ka shkuar i fundit në sallën e gjyqit dhe prej aty ka dërguar edhe mesazhin e qartë këtej se jo vetëm që nuk ka pranuar të flasë, por madje edhe refuzon në Gjykatë të jetë i përfshirë.
I njohur si kushëriri i ish-Ministrit, në fakt nuk është i vetmi, por ka edhe shumë të tjerë që janë kushërinj edhe më të afërt të cilët do të jenë pjesë e asaj dosje mijëra faqesh që do të vijë edhe në vendin tonë dhe do të vihet në dispozicion të hetuesve dhe të gjykatësve tanë.
Por Moisi Habilaj, njeriu që është përgjuar për më shumë se katër vite është edhe personi që konsiderohet si koka e grupit dhe se në emër të ish-ministrit ai kishte lëvizur shumë herë jashtë kufijve duke përdorur edhe makinën e famshme tashmë “Audi A8”. Por jo vetëm aty, por edhe në Vlorë, edhe në shtëpi, edhe në kafene e deri edhe në rrugë, Moisi Habilaj është bërë objekt i përgjimeve të skuadrës së Interforcës që me sa duket e ka kthyer edhe në sfidë personale gjurmimin e njeriut që kishte pushtet të pazakontë në të gjithë Vlorën dhe në të gjithë jugun, ku thuajse përqindja më e madhe e kanabisit kontrollohej prej tij dhe ‘ushtarëve” të tij.
Në këtë kontekst, përgjimi i Habilajt ka nxjerrë edhe faktin tronditës që në ndihmë të tij dhe të aktivitetit të tij janë vendosur jo vetëm mjete dhe oficerë policie deri në drejtues të lartë por për të mundësuar kalimin e drogës dhe të armëve drejt Italisë është urdhëruar deri edhe fikja e radarëve duke nxjerr zbuluar kufijtë e vendit dhe duke harruar të qënurit vend anëtar i NATO-s.
Seanca
Nën masa të rrepta sigurie, Moisi Habilaj, i dyshuari si kreu i grupit të trafikut të drogës në Itali, është paraqitur mëngjesin e djeshëm përpara një tresheje gjyqtarësh të Katanias. Gjykata e Rivlerësimit e Katanias mori në shqyrtim ankimimet e bëra nga 6 prej 7 të arrestuarve të të ashtuquajturit “Grupi Habilaj”, mbi të cilët rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të drogës. Ata u arrestuan në aksionin e quajtur “Trëndafili i erës”! I vetmi nga të arrestuarit që nuk ka kërkuar rishikimin e arrestimit, për këtë çështje mësohet se ishte italiani Antonino Riela, i cili sipas dosjes së hetimit rezulton të jetë një nga kontaktet më të besuara në Catania të Moisi Habilajt.
Sipas mediave italiane, Moisi Habilaj është paraqitur i fundit përpara gjyqtarëve, ndërsa avokati i tij Biagio Maurizio Catalano, thotë se ai i ka mohuar akuzat, duke kërkuar lirimin:“Prokuroria kërkoi që të konfirmohet urdhri për mbajtjen e tyre në burg. Ndërsa ne kërkuam anulimin për mungesë provash. Kjo është pikënisja ndaj s’mund të themi saktësisht se si do të shkojnë gjërat. Vetë urdhri i ndalimit, për të cilin besoj se jeni në dijeni sepse është publikuar, mendoj se është maja e ajsbergut, përmbledhje e një fashikulli të tërë dosjesh voluminoze hetimesh, të cilën unë vetë nuk kam patur kohë të konsultohem. Por në këtë fazë, faza e parë së paku këtu në Itali, është ajo për t’ju drejtuar Gjykatës së Lirisë, për të pasur në qoftë se së paku një prej pozicioneve, nga ky moment, mund të lëshohet dhe t’i rikthehet liria së paku ndonjërit”!
Avokati Biagio Maurizio Catalano thotë se në aktet e gjykimit të çështjes nuk ka parë asgjë për lidhjet e Habilajve me ish-ministrin Saimir Tahiri. “Për këtë figurë, për ish-ministrin më kanë folur të tjerët, por jo aktet. Mua nga aktet nuk më rezulton as edhe një presje. Ndaj objektivisht duhet të flas për një gjë që e kam dëgjuar nga jashtë procesit dhe jo brenda procesit. Mua s`më ka ndodhur ta takoj asgjëkund, nuk ekziston të paktën nga aktet që kam konsultuar unë. Por më duhet ta rithem, bëhet fjalë për një pjesë shumë të vogël të përmbledhjes, më pas në pjesën tjetër nuk e di se çfarë mund të ketë. Deri në këtë pikë, mua s`më rezulton asgjë për ndonjë autoritet politik apo ndonjë tjetër”, tha avokati Cataldo. Mësohet se Gjykata e Katanias duhet të shprehet lidhur me fatin e të arrestuarve brenda 48 orëve.
Sekuestro pasurive të dyshimta të Habilajve
Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurimit pasuror sekuestro preventive mbi pasuritë e familjes Habilaj që është vënë nën akuza për trafik ndërkombëtar droge. Sekuestrimi i pasurive vjen si rezultat i bashkëpunimit midis policisë së Vlorës, Drejtorisë së Përgjithshme të P.P.Parave dhe Prokurorisë Vlorë. Bëhet fjalë për: Njësi Shërbimi me sipërfaqe 157 m2, ndodhur ne lagjen ”28 Nëntori”, Vlorë, në pronësi të shoqërisë Turi&Mzb shpk dhe Florian Habilaj.
Njësi shërbimi me sipërfaqe 136 m2, në lagjen ”29 Nëntori”, Vlorë, në pronësi të shtetasit Florian Habilaj. Apartament banimi në Vlorë, në pronësi të shtetasit Artan Habilaj. Apartament banimi me sipërfaqe 69 m2 , në lagjen ”Uji i Ftohtë”, në pronësi të K.H.. Apartament banimi me sipërfaqe 104.5 m2 në Vlorë, në pronësi të shtetasi F.M.. Njësi shërbimi dhe banimi, me sipërfaqe 156 m2, në Vlorë, në pronësi te shtetasit Artan Habilaj. Vijon puna për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që kanë buruar nga aktiviteti kriminal, hetime që kanë nisur në vijim të informacionit, lidhur akuzat ndaj Artan Habilaj, Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj, si persona të dyshuar për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
Prokuroria e Katanias: Trafikuan 20 mln euro drogë
Prokuroria e Katanias ka zbuluar detaje të tjera për grupin e trafikut të drogës dhe armëve që drejtohej nga shqiptarët Habilaj. Ndër të tjera në njoftimin e sotëm, prokuroria italiane thotë se grupi kishte nën kontroll trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali dhe se kishte një aktivitet kriminal me xhiro 20 mln euro.
Oficerët e Njësisë së Policisë Gjyqësore të Catanias, me ndihmën e kolegëve të Shërbimit Ndërkombëtar të Policisë në Departamentin e Sigurisë Publike-Interpol, Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza dhe Drejtorinë Qendrore të Shërbimeve Antidrogë kanë dorëzuar aktet e referuara, procedimin penal Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare dhe kanë marrë pjesë në arrestimin e një prej 4 shqiptarëve që nuk u kap në pak ditë më parë në Shqipëri, por që ishte në kërkim me një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata e Catanias me kërkesë të Prokurorisë. Bëhet fjalë për Nezar Seiti, 40 vjeç, është arrestuar me urdhër nga Guardia di Financa e Katanias në bashkëpunim me policinë shqiptare në fshatin Babicë të Vlorës, me akuzën se është financieri i grupit të drogës. Seiti njihet si personi përgjegjës për zbarkimet e drogës në Itali, në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara nga organizata shqiptare e kryesuar nga 39-vjeçari Moisi Habilaj!
Hetuesit e Katanias, me mision në Tiranë
Kryeprokurori Adriatik Llalla është njohur nga afër me aktet e hetimit të prokurorisë italiane për çështjen “Habilaj”. Në dokumentin që është bërë publik ditën e djeshme bëhet me dije se “hetuesit e Katanias kanë qenë pak ditë më parë me një mision në Tiranë”. Oficerët e policisë gjyqësore të ndihmuar nga Interpol dhe Guardia di Finanza dërguan aktet që lidhen me hetimin e grupit “Habilaj” Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë dhe u bë me dije se ata kanë kërkuar ndihmë për arrestimin e një prej katër të akuzuarve me kombësi shqiptare që nuk ndodhej në shtetin italian dhe kanë dorëzuar urdhër-arrestet ndërkombëtare të lëshuara me kërkesë të prokurorit të Katanias”!
Referuar këtij dokumenti bëhet me dije se pas kërkesës së prokurorisë së Katanias është arrestuar në Shqipëri Nezar Seiti (datëlindja 03.30.1977): “Ai kishte detyrën për sigurimit e logjistikës në trafikun e drogës që kryesohej nga Moisi Habilaj (1978). Pjesë e këtij trafiku janë edhe anëtarët Maridian Sulaj (1988) dhe Fatmir Minaj (1962) tashmë nën arrest që nga 14 tetori”, thuhet në dokument. Organizata kriminale në fjalë dyshohet se ka dërguar nga Shqipëria në Itali një sasi prej rreth 4 000 kg marijuanë (e sekuestruar). Janë sekuestruar gjithashtu kallashnikovë dhe qindra municione.
Sasia e madhe e drogës që trafikonin Habilajt kap në treg vlerën e 20 milionë eurove, vetëm atë drogë që autoritetet italiane kanë kapur në harkun kohor të një muaji. Në fakt prej rreth një jave u tha se në vendin tonë kanë mbërritur disa prokuror të Katanias ndërsa në drejtim të vendit të tyre janë nisur edhe homologë shqiptar ku priten të shkëmbejnë informacione për gjithë grupin e drogës.
Dy javë më parë nga një aksion i policisë italiane në kuadër të operacionit “Rosa dei Venti”, u arrestuan Moisi Habilaj, Fatmir Minaj dhe Maridian Sulaj, lidhje të hershme mes njëri-tjetri ndërsa Nezar Seiti, i njohur ndryshe si financieri i trupit kriminal u arrestua në Shqipëri. Krahas grupit Habilaj, në prangat e policisë u arrestuan edhe katër italianë Vincenzo Spampinato, Gianluca Passavanti, Angelo Busaça dhe Antonino Riela.
Afatet, testi i prokurorisë për të arrestuarit e “Katanias”
Është një nga dosjet më të mëdha që janë hartuar për shtetas shqiptarë. Në fakt është për një sërë personash që lidhen me trafikun ndërkombëtar të drogës. Bashkë me shqiptarë janë edhe një mori shtetasish italianë. Po jo vetëm trafikantë, shpërndarës, posedues dhe strehues të drogës dhe të të gjithë mallit që niset nga brigjet tona.
Në dosjen me mijëra faqe gjenden emra zyrtarësh të lartë të të dy shteteve, ndërsa Moisi Habilaj dje ka dalë para gjykatë së Katanias, duke vënë theksin në pafajësinë e tij. të njëjtën gjë ka thënë edhe avokati mbrojtës, një italian po nga Katania, ndonëse ky i fundit, duke dashur të pohojë faktin se nuk kishte hasur gjëkundi emrin e shqiptarit Saimir Tahiri, pohoi se bëhet fjalë për majën e ajsbergut, pasi aq e madhe dhe voluminoze ishte dosja saqë ishte mjaft e e vështirë edhe ta shfletonte avokati dhe jo më ta lexonte që të shikonte për faktet që implikonin klientët e tij dhe ish-ministrin e brendshëm të Shqipërisë.
Por përveç këtij fakti që u pa ditën e djeshme të transmetohej live nga Katania jo vetëm nga mediat italiane po edhe nga ato shqiptare, një tjetër ngërç duket se po rezervohet për çështjen Katania dhe dosjen e shqiptarëve të drogës. A do të munden italianët të shpejtojnë për të moslejuar kalimin e afateve për të sjellë dokumentacionin e plotë për të nisur drejt Italisë të arrestuarit në vendin tonë?
Të kërkuarit e Italisë
Janë me dhjetëra emrat e shqiptarëve që Italia ka kërkuar t`i arrestojë në kuadër të operacionit të fundit ku kapi në kushtet e flagrancës Moisi Habilajn me disa shqiptarë dhe italianë për trafikun e katër tonëve kanabis. Në vendin tonë, konkretisht në Vlorë, u arrestua edhe një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të tij, Nazer Seiti.
Gjykata jonë i ka lënë një kohë të caktuar prokurorisë të sjellë dokumentet e ekstradimit për të bërë të mundur argumentimin e mbajtjes në burg për shkak të dërgimit në Gjykatën e Katanias për ta gjykuar bashkë me shqiptarët e arrestuar dhe katër shtetasit italianë, prej të cilëve mësohet se vetëm njëri kë pranuar akuzat e ngritura nga prokuroria e Katanias.
Vonesa do të bëjë që Nazer Seiti, mund të fitojë lirinë në vendon tonë. Autoritetet e drejtësisë në Katanja nuk kanë dërguar ende në prokurorinë shqiptare dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e tij në Itali. Masa e sigurisë vendosur nga Gjykata e Tiranës dhe ajo e Krimeve të Rënda 20 ditë burg për të dhe jo 40 ditë sa është afati maksimal ne raste ekstradimesh, e ka vënë prokurorinë në sfidë. Asaj i duhet të sigurojë sa më parë mundësinë ligjore për të mbajtur në qeli një person të kërkuar prej saj, por edhe prej drejtësisë italiane.
Deri tani, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nuk ka ardhur asnjë materiale shtesë apo letër porosi nga homologët e tyre të Katanias për të mundësuar ekstradimin drejt Italisë së këtij shtetasi. Në janar të këtij viti, Nezar Seiti ishte regjistruar teksa fliste në telefon me anëtarin tjetër të grupit, Meridian Sulaj, ku i thotë se bashkëpunimi me policinë nuk po shkon si më parë, pasi ishin prishur balancat.
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë pa...
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit