Google ADS

Ismaili realizon premtimin e parë, buxheti për shëndetësi mbi 200 milionë euro

10:43 | 31 Tetor 2017
M. A.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka njoftuar se buxheti për shëndetësi, për vitin 2018, do të jetë mbi 200 milionë euro.

Ismaili ka thënë se, me këtë buxhet, do të arrijnë që të bëjnë përmirësime të ndjeshme në disa drejtime të rëndësishme të sektorit shëndetësor.

Sipas tij, Investimet kapitale, rritja e personelit mjekësor, rritja e buxhetit për barna esenciale etj, janë vetëm disa nga zhvillimet në drejtim të reformave në shëndetësi.

“Në ditën e parë kishim premtuar që do ta rrisim buxhetin për shëndetësi, sot, për herë të parë ai do të jetë mbi 200 milionë euro”, ka thënë Ismaili duke shtuar.

“Kemi shtuar për 126 % mjetet për investime kapitale nga 10 milionë në 24.6 milionë euro. Kemi siguruar mjetet për punësimin e 100 mjekëve dhe 100 infermierëve të ri. Është shtuar për 36 %, krahasuar me vitin paraprak, buxheti për barnat esenciale”.

Në fund, ai ka thënë se ky është vetëm hapi i parë drejt shërbimeve meritore që ai ka premtuar, kurse reformat e tjera do të vazhdojnë në ditët në vazhdim.

Buxheti i Kosovës për vitin 2018, do të jetë 2 miliardë e 82 milionë euro dhe pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme