Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka deklaruar se shtetasi i Turqisë, Ugur Toksoy, nuk duhet të ekstradohet në Turqi, pasi një kërkesë e tillë “është e motivuar politikisht”.
Toksoy u arrestua me arsyetimin se ka lidhje me lëvizjen “Gylen” dhe dyshohet se ka kryer veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist” në zhvillimet e korrikut të vitit 2016 në Turqi.
Ministria e drejtësisë në Turqi ka kërkuar ekstradimin e shpejtë të Toksoyt, ndërsa kjo është vlerësuar si politike nga KMDLNJ.
“Në këtë kontekst KMDLNJ konsideron se arrestimi i Toksoy si dhe kërkesa për ekstradim , me një procedurë të përshpejtuar është e motivuar politikisht dhe si e tillë duhet të refuzohet nga autoritetet kosovare”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
KMDLNj konsideron gjithashtu se ekstradimi i një të arrestuari në një shtet tjetër, me kërkesë të atij shteti është detyrim ndërkombëtar mirëpo, në rast kur vlerësohet se personi i ekstraduar mund t’i nënshtrohet një hetimi brutal, çnjerëzor dhe se ndaj tij do të përdoret një torturë fizike dhe psikike me ç’rast , përveç rrezikimit të shëndetit, seriozisht do t’i rrezikohej edhe jeta, ekstradimi nuk duhet të zbatohet, ndryshe Kosova do të identifikohej si vend që ka kontribuar në shkeljen e të drejtave të njeriut përmes ekstradimit.
“Praktika e deritashme në Turqi dëshmon se, nëse z. Ugur Toksoy do të ekstradohej në Turqi, ai nuk do të kishte një gjykim fer, të paanshëm dhe të drejtë dhe kjo është arsye shtesë që ekstradimi nuk duhet të ndodhë”, thuhet në reagim.
Sipas KMDLNJ-së Kosova nuk ka asnjë arsye të ngatërrohet në luftën për pushtet midis Erdoganit dhe Gylenit sikur që nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë diktati, kushtëzimi apo shantazhimi, nga asnjëra palë por, në rastin konkret për Ugur Toksoy duhet të thirret në konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“KMDLNj thërret autoritetet kosovare që në rastin konkret të përcaktohen për mbrojtje të drejtave të njeriut e jo t’i nënshtrohen kërkesës krejtësisht politike dhe të mos e ekstradojnë z. Ugur Toksoy në Turqi, ndryshe do të bëhen bashkëpjesëmarrës dhe bashkëfajtorë gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet më tej në njoftim.
Mungesa e sinjalizimit paraqet rrezikshmëri të lartë në traf...
Ana i dërgon një dhuratë Kevinit, reagimi i tij do ju befaso...
Lituania do të financojë prodhimin e dronëve ukrainas me rre...
Plagosja me thikë e 32-vjeçarit në Durrës, shkak dyshohet ko...
Parandalohet një rast i kundërvajtjes doganore
Anisa ia kap flokët Xhenetës – përplasje e ashpër mes tyre