Osmani thotë se në pranverë dihet fati i Qeverisë Haradinaj

22:07 | 30 Tetor 2017
Arbresh.info

Deputetja më e votuar femër e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK’së, Vjosa Osmani është shprehur e habitur me reagimin e deputetëve nga radhët e VV’së në seancën plenare të javës së kaluar, gjatë kohës kur ajo dhe deputeti nga radhët e LDK’së, Lumir Abdixhiku po kritikonin PDK’në.

Sipas Osmanit, gjuha që përdorën deputetët e VV’së kundrejt tyre ishte e panevojshme.

“Për mu është shumë e çuditshme, kur Vetëvendosja merreshin me ne e nuk brengoseshin për ato që ne i thonim për PDK;në, gjë që prej mënyrës se si reaguan shiheshin sikurse u dhimbsej ajo çfarë thonim për PDK’në. Pra ishte një gjuhë e panevojshme që deputetët e VV-së e përdoren atë ditë”, ka thënë ajo për televizionin Rrokum.

Osmani, po ashtu është deklaruar edhe për jetëgjatësinë e Qeverisë Haradinaj, për çka tha se pranvera e vitit të ardhshëm do të jetë koha kur më së voni do të dihet fati i saj.

“Me këtë shumicë që e ka kjo qeveri më së voni në pranverë do ta shoh se do të ketë të pamundur për të vazhduar”, u shpreh ajo.

Më tej ajo është shprehur se nuk do të tregohet e heshtur karshi gjuhës së VV-së, por do t’iu përgjigjet të gjitha sulmeve dhe propagandave që sipas saj i bën kjo parti.

“Ne jemi të gatshëm që t’iu përgjigjemi edhe sulmeve dhe propagandave, sepse unë nuk e kam ndërmend të hesht”, ka thënë Osmani.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme