Google ADS

Haradinaj e Lunacek pajtohen se Kosova ka perspektivë evropiane

19:39 | 30 Tetor 2017
M. A.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim lamtumirës raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, të shoqëruar nga pasardhësi i saj në këtë detyrë, Igor Soltesa.

Haradinaj e vlerësoi punën dhe angazhimin e Lunacekut dhe mbështetjen e saj të parezervë për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe në institucionin e BE-së, bën të ditur një njoftim nga Kryeministria.

Haradinaj dhe Lunacek në bisedë folën edhe për proceset integruese të Kosovës dhe reformat e nevojshme që çojnë drejt anëtarësimit në BE.

Kryeministri tha se Agjenda e Reformës Evropiane dhe Marrëveshja e Stabilizimit Asociimit po zbatohen me një dinamikë të përshpejtuar dhe tha se po bëhen reforma të thella në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe në fushat e tjera, thekson njoftimi.

Haradinaj po ashtu tha se perspektiva evropiane për Kosovën është e paalternativë dhe ajo po bën të gjitha përpjekjet që ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE deri në fund të vitit të ardhshëm.

Ai tha se Kosova do të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja kontraktuale me BE-në në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Ndërkaq, Lunacek e përgëzoi kryeministrin për dinamikën e re qeverisëse dhe për angazhimin e tij personal në zbatimin e MSA-së dhe reformave në vend, thuhet në njoftim.

Ajo tha se Kosova ka perspektivë evropiane dhe vlerësoi se duhet të përmbushë obligimet e marra me marrëveshjen kontraktuale me BE-në.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme