Vuçiq: T’i heqim qafe mitet, në Kosovë nuk është gjithçka e jona

18:52 | 29 Tetor 2017
Arbresh.info

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq edhe një herë e ka drejtuar gishtin kah bashkësia ndërkombëtare, të cilët i ka akuzuar se po përdorin standarde të dyfishta në rastin e Katalonisë dhe Kosovës.

Sipas tij është vetëm një e drejtë ndërkombëtare e cila nuk duhet të shkelet.

Vuçiq ka bërë të ditur se çdo ditë përballet me kërkesat e përfaqësuesve ndërkombëtare që bëjnë thirrje se Serbia duhet ta respektojë integritetin e Kosovës, transmeton lajmi.net

Presidenti serb e ka cilësuar si “referendum të rreme”, atë në Kataloni, të cilin e ka krahasuar me Kushtetutën e Kaçanikut.

“Ne jemi fajtorë sepse ishim idiot kur dërguam një kërkesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila i dha legjitimitet Kosovës për veprimet e saj. Ne atëherë patëm në pushtet njerëz si Tadiq e Jeremiq”, deklaroi presidenti i Serbisë.

Ai e ka quajtur “hipokrizi ndërkombëtare”, sjelljen e shteteve të mëdha për pavarësinë e Katalonisë, kurse të njëjtat e kishin përkrahur Kosovën.

Vuçiqi edhe një herë ka theksuar se ndërmjet dy shteteve duhet të ketë paqe dhe të arrihet një kompromis.

“Jam i lumtur që do të fillojmë bisedimet që të lirohemi nga mitet dhe gënjeshtrat se çdo gjë në Kosovë është e jona, por edhe nga gënjeshtrat se atje nuk ka asgjë tonën”, përfundoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në konferencën për media që e zhvilloi me presidentin e Republikës Srpska në Bosnje, Milorad Dodik ai foli gjerë e gjatë për Kosovën.

Vuçiq tregoi edhe për kërkesat që kishte Hoyt Yee, dhe ritheksoi deklarimet e tij të vazhdueshme se Lista Serbe nuk do ta mbështet formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme