Google ADS

Gottemoeller: Ushtria e Kosovës, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese

08:56 | 28 Tetor 2017
Arbresh.info

Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller, ka ripërsëritur mesazhin e Aleancës Veriatlantike se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës duhet të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, shkruan gazeta Zeri.

Gjatë vizitës së saj në Kosovë të premten, Gottemoeller theksoi se edhe në takime me përfaqësues të institucioneve kanë diskutuar rreth kësaj çështjeje, porse qëndrimi i NATO-s vazhdon të jetë i pandryshuar se transformimi i FSK-së është çështje e autoriteteve kosovare.

“Patëm një takim konfidencial. Nuk mund të hyj në hollësi, por diskutuam shumë çështje të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës dhe me stabilitetin e sigurisë përgjatë rajonit. Ne diskutuam në të gjitha këto tema, transformimin e FSK-së dhe dua t’ju përçoj një mesazh të cilin e dëgjuat kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ishte këtu në shkurt të këtij viti. Ai tha se transformimi i FSK-së është çështje e autoriteteve të Kosovës që të vendosin. Por në anën tjetër është me rëndësi të jashtëzakonshme që ai transformim të bëhet në pajtim me procedurat e duhura kushtetuese”, tha Gottemoeller.

Zyrtarja e lartë e NATO-s e pyetur se kur do të munde të shkojë FSK-ja në veri pa lejen e NATO-s, tha se kjo çështje po diskutohet tash e sa kohë dhe do të vazhdojë të trajtohet hap pas hapi.

“Kjo edhe një herë është çështje e cila po diskutohet qe një kohë dhe është më së miri që ta nënvizoj se kjo është duke u trajtuar në mënyrë përgjegjëse dhe do të vazhdojë që të jetë një temë, e cila duhet të trajtohet në një mënyrë hap pas hapi. Kështu që mendoj se nuk ka diçka më shumë çka të thuhet në këtë moment”, tha ajo.

Gottemoeller më tutje shtoi se vizita e saj në Kosovë tregon përkushtimin e tyre ndaj Kosovës dhe të paqes e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Sipas saj, stabiliteti në Kosovë është i rëndësishëm edhe për stabilitetin në tërë Evropën.

Ajo theksoi progresin e arritur në Kosovë, sidomos në aspektin e sigurisë, por gjithashtu kanë parë edhe ngecje, porse janë të vetëdijshëm për sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova.

Gotemoeller shtoi se KFOR-i nuk do të largohet pa i përfunduar detyrat e tij në Kosovë.

Të ngjashme