Albert Matoshi zgjidhet drejtor ekzekutiv i OEGJK-së

13:25 | 6 Korrik 2015
Arbresh.info

Albert Matoshi, është zgjedhur në pozitën e drejtorit ekzekutiv në Odën Ekonomike Gjermano Kosovare.

Drejtori i ri i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, Albert Matoshi, është i diplomuar në fakultetin ekonomik në Universitetin e Prishtinës dhe është në përfundim e sipër të studimeve postdiplomike në universitetin e Sheffieldit në Angli, drejtimi Menaxhment i Përgjithshëm.

Matoshi, është 43 vjeç dhe ka një përvojë të gjatë pune mbi 15 vite në sektorin bankar dhe të zhvillimit ekonomik. Për rreth 13 vjet eksperiencë në “Raiffeisen Bank Kosovo“ në sektorë të ndryshëm, prej tyre mbi dhjetë vjet në Departamentin e Korporatave.

Ai ka qenë udhëheqës i Departamentit të Korporatave mbi gjashtë vjet, ku përfshihet menaxhimi i portfolios së klientëve (korporatave) të sektorit privat dhe atij publik.

Në të njëjtën kohë ai ishte përgjegjës për marrëdhëniet me klientët dhe investitorët e huaj aktiv në Kosovë me fokus të veçantë tek klientët gjermanofolës. Para kësaj, ai ka punuar për dy vjet si menaxher i projekteve në KfW (Bankën Gjermane për Zhvillim dhe Rindërtim) kurse më herët si asistent i projekteve për misionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Kosovë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme