Google ADS

Çmimi i BE-së për të drejta të njeriut shkon për opozitën e Venezuelës

01:08 | 27 Tetor 2017
Trina Galanxhi
Opozita demokratike në Venezuelë është shpallur fituese e Çmimit Sakharov që ndan Parlamenti Evropian për liri të shprehjes.
Çmimi i është ndarë Asamblesë Kombëtare të Venezuelës të dominuar nga opozita dhe të gjithë të të burgosurve politikë në këtë vend të Amerikës Latine.

Venezuela është përfshirë në krizë politike dhe ekonomike që disa muaj.

Qeveria e presidentit Nicolas Maduro është akuzuar nga protestuesit dhe qeveritë perëndimore për autoritarizëm.

Në muajin mars, Gjykata Supreme i ka hequr pushtetin legjislativ Asamblesë Kombëtare, të zgjedhur në mënyrë demokratike, ndërsa është krijuar një asamble rivale për të rishkruar kushtetutën e vendit, përcjell REL.

“Që nga fillimi i vitit, mbi 130 njerëz janë vrarë në protestat në rrugë, shumica e tyre demonstrues antiqeveritarë, dhe mbi 500 të tjerë janë burgosur në mënyrë arbitrare”, tha përmes një deklarate Parlamenti Evropian.

Çmimi vjetor Sakharov është themeluar në vitin 1988 nga Parlamenti i BE-së për të nderuar individët dhe organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme