Google ADS

Vidhen 148 pasaporta kosovare, një person në paraburgim

21:33 | 26 Tetor 2017
M. A.

Në Podujevë ka ndodhur një vjedhje e rëndë. 148 pasaporta e 3 mijë e 900 euro janë plaçkitur nga Qendra për Pajisje me Dokumente dhe Regjistrim të Automjeteve.

Institucioni që funksionon nën kompetencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme është vjedhur të shtunën e kaluar më 21 tetor. Lidhur me rastin një person ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh.

Objekti i Qendrës për Pajisje me Dokumente dhe Qendra për Regjistrim të Automjeteve në Podujevë, janë thyer e vjedhur të shtunën e javës që kaloi. Nga aty janë vjedhur 148 pasaporta, ndërsa në piken e shitjes së Postelekomit të Kosovës, të vendosur brenda objektit, janë vjedhur edhe 3900 euro si dhe mbushje telefonike.

Policia e Kosovës në Podujeve deklaroi për RTK-në se në lidhje me rastin një person është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të dyshuarit i është shqiptuar masa paraburgim prej 30 ditësh.

Ministria e Punëve të Brendshme në përgjigje të shkruar, e konfirmoi vjedhjen e së shtunës. Ministria deklaroi se është marrë kasaforta me 148 pasaporta, raporton televizioni publik

. Por, zyrtarë të kësaj ministrie deklaruan se janë marr të gjitha masat parandaluese në rast se tentohet që pasaportat të keqpërdorën, duke u njoftuar të gjitha organet e nevojshme.

Ndërkohë, aplikuesit do të pajisen me pasaportat e tyre pa pagesë shtesë. Sigurimi i këtij objekti bëhej nga një kompani private e kontraktuar dhe nga aty është suspenduar roja i ndërrimit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme