Google ADS

Tajlanda në zi, zhvillohet funerali i Mbretit

21:26 | 26 Tetor 2017
Trina Galanxhi

Miliona njerëz po mbajnë zi në Tajlandë dhe mijëra të tjerë po marrin pjesë në pjesën kryesore të funeralit 5-ditor të Mbretit të ndjerë të vendit, Bhumibol Adulyadej.

Mbreti i nderuar tej mase ndërroi jetë në tetor të vitit të shkuar, në moshën 88-vjeçare. Një seri ritesh budiste në Pallatin Mbretëror i hapën rrugën nisjes së ceremonive zyrtare. Më pas, urna mbretërore nisi rrugëtimin drejt vendit ku do të digjet trupi i Mbretit. Zjarri do të ndizet nga djali i tij, mbreti Maha Vajiralongkorn.

Mijëra njerëz të veshur me të zeza po marrin pjesë në ceremoni dhe kanë mbushur rrugët ku kalon trupi i Mbretit të ndjerë. Mbreti Adulyadej ishte mjaft i respektuar në Tajlandë, madje për shumë njerëz ai konsiderohej si gjysmë-perëndi, pasi me ndërhyrjet e tij i solli qetësi vendit në momente trazirash.

Koçia që mban trupin e Mbretit përdoret që prej shekullit të 18 dhe pesha e saj prej 14-tonësh tërhiqet nga 200 ushtarë. Mijëra njerëz kanë udhëtuar nga qytetet e tjera të vendit në Bangkok për t’i dhënë lamtumirën e fundit Mbretit, i cili po nderohet gjithashtu nga shumë anëtarë të familjeve mbretërore të huaja dhe zyrtarë nga më shumë se 40 vende.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme