Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zhurmës së krijuar ditën e sotme lidhur me sulmin e tij ndaj disa gazetarëve që po e intervistonini pas mbarimit të seancës që vendosi për mosarrestimin e Sajmir Tahirit.
Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook, Rama nuk pranon të ketë ofenduar askënd duke shtuar se ka shprehur vetëm një opinion për punën e mediave në Shqipëri.
Sipas Ramës, turpi i mbetet kujtdo që e shtrembëron, shkel apo shkatërron të vërtetën nga pozitat e gazetarit, duke vënë në gojë gjëra që ai s’i ka thënë.
“Po pse qenkan ofenduar gazetarët nga unë ! Sipas tyre po edhe sipas të tjerësh, në kazanin mediatik e në atë politik, i paskam fyer sot pas seancës së Kuvendit!
Fare! Nuk kam fyer askënd. Thjesht kam dhënë opinionin tim, për çka ata kanë bërë, gjatë gjithë këtyre ditëve duke e dizinformuar publikun lidhur me qëndrimet e mia dhe të Partisë Socialiste!
Padiskutim ata janë në të drejtën e tyre të mos dëgjojnë dhe të mos kuptojnë. Janë në lirinë e tyre të dëgjojnë siç u bëjnë veshët dhe kur çka nuk e dinë, të mos përpiqen as ta mësojnë. Janë në punën e tyre që ta bëjnë punën duke shkelur me këmbë çdo normë e rregull bazik të një profesioni aq fisnik e të vështirë.
Por as ata – dhe këtu nuk flas, siç nuk fola as sot thjesht për gazetarët e terrenit, po të gjithë ata që lirinë e pushtetit të medias janë mësuar ta përdorin si armë për të “vrarë e prerë”, pa teklif e as karar – dhe as kushdo tjetër, nuk më ndalon dot mua të shpreh opinionin tim; qoftë për turpin që i mbetet kujtdo që e shtrembëron, shkel apo shkatërron të vërtetën nga pozitat e gazetarit, duke më vënë në gojë gjëra që s’i kam thënë dhe jo vetëm; qoftë për paditurinë që shfaqet brutalisht nga mëngjesi deri në darkë, si liri dhe e drejtë për të dhunuar lirinë e të drejtat e tjetrit, në emër të profesionit (kur je gazetar je ëngjëll, kur je politikan je djall dhe o burra bjeri t’i biem); qoftë për transformimin e urës së komunikimit mes politikës e publikut, në një gryjë thashethemnaje frenetike, ku nuk e merr vesh i pari të dytin!
Kështu që kush është ndjerë i ofenduar, të mos keqkuptohet. S’kam ofenduar askënd dhe s’ka asgjë për t’u ofenduar. Thjesht dikush, unë në këtë rast, u ka thënë në mexhelis se çfarë mendon për punën që kanë bërë tërë këtë javë, në raport me qëndrimet e mia e të Partisë Socialiste”, shkruan Rama.
Republikanët sigurojnë shumicën në Senat për herë të parë pa...
Hoxha takon komisionin përzgjedhës të cilët shkruan dhe komp...
LDK dërgon në Kushtetuese ndryshimet në Ligjin për Zyrtarët ...
Ambasadori australian fshin mesazhet kundër Trumpit
Çitaku: Raportet me SHBA-në varen edhe nga kush udhëheq inst...
Begaj takim me kryebashkiakun e Cërrikut, e përgëzon për pro...