Pacolli: Kemi zgjedhur mos t’i përgjigjemi provokimeve që na vijnë nga Serbia

20:18 | 25 Tetor 2017
M. A.

“Zgjidhjet ekonomike janë shumë të mira për të lehtësuar marrëdhëniet ndër-etnike”, janë dakorduar, Hoyt Brian Yee, Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i shtetit dhe ministri i jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë takimit të tyre të përzemërt, që zhvilluan sot në orët e pasdites në Prishtinë.

Në kuadër të këtij takimi, Pacolli, e njohu zyrtarin e lartë amerikan me idetë e tij për zgjidhjen e problemit të Trepçës, ashtu edhe bashkimin e Mitrovicës, nëpërmjet shtrirjes së Zonës së Lirë Ekonomike në gjithë territorin e kësaj komune, si zgjidhje që prodhon mirëqenie, mirëkuptim dhe zhvillim ekonomik për atë zonë.

Gjatë bisedës, Pacolli, foli dhe për takimet e shumta të tij në rajon, sic ishte vizita e sotshme në Maqedoni dhe ajo e mëhershme në Mal të Zi, duke theksuar qasjen konstruktive të Qeverisë së re dhe të tijën personale, për të zhvilluar marrëdhënie paqësore dhe të fqinjësisë së mirë, gjë e cila do t’i kontribonte forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit rajonal.

Në lidhje me Serbinë, Pacolli tha se “kemi zgjedhur të mos i përgjigjemi provokimeve, që vijnë nga Serbia, duke shikuar më shumë nga e ardhmja, në respekt të plotë të sovranitetit tonë dhe nevojës për të përmbyllur përfundimisht këtë kapitull të historisë”.

Nga ana e tij, diplomati amerikan vlerësoi hapat e rinj, dinamikën dhe kreativitetin e diplomacisë kosovare në drejtim të njohjeve të reja, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, për të cilat, SHBA do të vazhdojnë të ofrojnë asistencën e tyre.

Yee, garantoi se SHBA do jenë afër Kosovës, do të bashkëpunojë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, për zhvillimin ekonomik të vendit dhe në të gjitha fushat e tjera.

Ai, tutje kërkoi, që Kosova të përmbyllë çështjen e demarkacionit, si kapitull që mban peng liberalizimin e vizave dhe inkurajoi Kosovën, që të vazhdojë në rrugën e reformave të gjithanshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme